Shenjat paralajmëruese që tregojnë se pas 9 vitesh mund të pësoni dështim të trurit

by admin
Spread the love

Një fakt i ri, i rëndësishëm në përpjekjen për parandalimin e demencës është nxjerrë në dritë nga një grup studiuesish, të cilët pretendojnë se është e mundur të identifikohen shenjat paralajmëruese të dështimit të trurit, deri në 9 vjet përpara diagnozës së demencës.

Në studimin e botuar në Alzheimers & Dementia, studiuesit nga Universiteti i Kembrixhit, Spitalet Universitare të Kembrixhit dhe Fondacioni NHS, përdorën të dhëna nga Biobank në MB, një bazë të dhënash biomjekësore, që përmban informacione anonime gjenetike, të stilit të jetesës dhe shëndetit të gjysmë milioni britanikëve të moshës 40-69 vjeç.

Përveç kësaj, ata mblodhën të dhëna nga një seri testesh të zgjidhjes së problemeve, kujtesës, kohëve të reagimit dhe forcës së kapjes. Së fundi, ata llogaritën të dhënat për luhatjet e peshës, por edhe numrin e rënieve të pjesëmarrësve.

Këto të dhëna i lejuan studiuesit të aksesonin historinë e pjesëmarrësve, duke përcaktuar nëse kishte shenja në fillim të studimit që do të tregonin rënie të mundshme njohëse.

Hulumtimi zbuloi se pjesëmarrësit që më vonë zhvilluan Alzheimer-in shënuan më pak rezultate në detyrat e zgjidhjes së problemeve, kohën e reagimit, rikujtimin e numrave dhe aftësinë për të kujtuar për të bërë diçka më vonë. Përveç kësaj, ata që zhvilluan sëmundjen e Alzheimerit kishin më shumë gjasa të kishin përjetuar një rënie në 12 muajt e mëparshëm. Për më tepër, pacientët të cilët zhvilluan një gjendje të rrallë neurologjike që ndikon në ekuilibrin, e njohur si paraliza mbinukleare progresive (sëmundja PSP ose sindroma e Richardson), kishin më shumë se dy herë më shumë gjasa për të rënë.

Në përgjithësi, për çdo formë të çmendurisë së studiuar, pacientët që e kishin atë raportuan një shëndet më të keq të përgjithshëm në fillim të studimit.

Gjetjet e reja janë jashtëzakonisht të rëndësishme në luftën për parandalimin e demencës, pasi deri më tani ka pak trajtime efektive. Kjo është pjesërisht sepse gjendja zakonisht diagnostikohet pasi shfaqen simptomat, kohë në të cilën është tepër vonë për të ndryshuar rrjedhën e saj. Deri më tani, nuk ishte e qartë nëse ishte e mundur të zbuloheshin ndryshime në funksionin e trurit që mund të paralajmëronin për rrezikun e demencës.

Prandaj, përfundimet e studimit ngjallin shpresa se në të ardhmen mund të zhvillohen teste më efektive depistuese, të cilat do të nënvizonin se cilët pacientë janë më të rrezikuar dhe kanë nevojë për ndërhyrje për të parandaluar zhvillimin e demencës. Në të njëjtën kohë, pacientët që do të zbulohen si më të ndjeshëm mund të përdoren gjithashtu për rekrutim në provat klinike, me qëllim kërkimin e trajtimeve të reja.

“Problemi me provat klinike është se ata domosdoshmërisht përdorin shpesh pacientë që tashmë kanë demencë. Nëse mund të rekrutojmë individë të predispozuar, do të kemi një shans më të mirë për të zhvilluar barna efektive”, komentoi Dr. Tim Rittman nga Departamenti i Neuroshkencës Klinike, Universiteti i Kembrixhit.

Autori i parë Nol Sëaddiëudhipong, një mjek në Universitetin e Kembrixhit, komentoi: Kur shikuam historitë e pacientëve, u bë e qartë se ata kishin disa dëmtime njohëse disa vite përpara se simptomat të bëheshin mjaft të dukshme për të garantuar një diagnozë. Ky është një hap drejt aftësisë për të ekzaminuar njerëzit që janë në rrezik më të madh, për shembull, njerëzit mbi 50 vjeç, pacientët me presion të lartë të gjakut ose nivele të ulëta të aktivitetit fizik, dhe ndërhyrja në një fazë të hershme për të zvogëluar rrezikun.

Dr. Tim Rittman shtoi: Njerëzit nuk duhet të shqetësohen pa arsye. Disa njerëz të shëndetshëm natyrisht do të kenë rezultate më të këqija se të tjerët. Megjithatë, ne do të nxisnim këdo që vëren ndryshime në funksionin e tyre njohës të vizitojë mjekun e tij.


Top Channel

You may also like