SHBA – Pistorius: Gjermania e gatshme të luajë rolin kryesor në politikën e sigurisë

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 10 maj /ATSH-DPA/- Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha dje në Uashington se Berlini është i përgatitur të luajë një rol udhëheqës në politikën e sigurisë në Evropë dhe të sigurojë aftësitë ushtarake për ta bërë këtë.

“SHBA-ja dhe Gjermania do të japin kontributin e tyre për të krijuar një të ardhme me të gjithë ata që mbrojnë lirinë, paqen dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha Pistorius në një fjalim në Universitetin Johns Hopkins, në Uashington.

“Gjermania është një aleate e palëkundur dhe është e gatshme të përmbushë rolin e saj në aleancë dhe në politikën globale”, tha Pistorius.

Ministri tha se Gjermania ishte në mes të një procesi ndërtimi ushtarak.

“Jami bindur se Gjermania ka nevojë për një lloj rekrutimi ushtarak”, tha ai.

Evropianët janë gjithashtu të vetëdijshëm se SHBA-ja po përqendron vëmendjen në Indo-Paqësor dhe duhet t’i përgjigjet armatimit të Kinës, politikës ekonomike agresive dhe përpjekjeve për dominim gjeopolitik.

“Gjermania është e vendosur të japë një kontribut për një rend të bazuar në rregulla edhe atje”, tha ai.

“Jam i bindur se vetëm së bashku, SHBA-ja dhe Evropa mund ta mbajnë Perëndimin të fortë, duke e mbrojtur atë kundër ambicieve ekspansioniste të Rusisë dhe urisë së aktorëve të tjerë për pushtet dhe supremaci”, tha Pistorius. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like