SHBA: Lufta mund të nisë këtë javë. Ukraina kërkon takim me Rusinë brenda 48 orëve

by admin
Spread the love

Ukraina kërkon një takim me Rusinë dhe pjesëtarë të tjerë kyç europianë, lidhur me përshkallëzimin e tensioneve në kufijtë e saj. Ministri i jashtëm Dmytro Kuleba tha se Rusia e kishte shpërfillur kërkesën formale për të shpjeguar grumbullimin e trupave. Sipas tij, hapi i radhës është thirrja për një takim brenda 48 orëve, për transparencë lidhur me planet e Rusisë.

Kievi e bëri kërkesën përmes Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, pjesë e të cilës është edhe Moska. Rusia mohon planet për pushtimin e Ukrainës, pavarësisht pozicionimit të më shumë se 100 mijë ushtarëve në kufi. Por Shtetet e Bashkuara thonë se Moska mund të sulmojë që këtë javë, duke filluar me bombardime ajrore që do të shkaktonin viktima civile.

“Ka një kombinim faktorësh. Pikë së pari, grumbullimi i vazhdueshëm i kapaciteteve ushtarake ruse përgjatë kufirit me Ukrainën dhe Bjellorusinë. Putin vazhdon të shtojë trupat dhe artileri, me mijëra ushtarë të tjerë qe janë pozicionuar vetëm javën e kaluar përveç 100 mijë trupave që gjendeshin aty. Së dyti, është mozaiku i informacioneve të inteligjencës qe po shohim. Kemi burime shumë të mira dhe ato na sugjerojnë se situata po përshkallëzohet”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Edhe ministri i Forcave të Armatosura në Britaninë e Madhe tha se beson që Europa është më pranë luftës nga çka qenë për 70 vjet, me mbi 130 mijë trupa rreth kufijve të Ukrainës e mijëra anije amfibe në Detin e Zi dhe Azov.

Megjithatë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i ka kritikuar deklarata të tilla që përhapin panik, dhe thotë se nuk ka parë asnjë provë se Rusia po planifikon një sulm ditët në vazhdim. Të dielën ai zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan Joe Biden, i cili rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën. Të dy liderët e vunë theksin tek rëndësia e ndjekjes së rrugës diplomatike, por kreu i Shtëpisë së Bardhë theksoi edhe një herë atë që i tha Presidenti Putin një ditë më herët; pra që nëse Moska do të pushtojë Ukrainën, pasojat për të do të jetë të mëdha.

You may also like