SHBA-ja mbështet anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe

by admin
Spread the love

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin anëtarësimin e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, megjithëse rikujtuan se për një vendim të tillë kërkohet pajtimi i të gjitha 30 vendeve anëtare të Aleancës.

Mbështetjen amerikane për Kosovën dhe aspiratat e saj në këtë
drejtim e ka shprehur zëdhënësi i misionit të SHBA-së në NATO, Jeffrey Adler.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin anëtarësimin e
Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përfshirë edhe në
Partneritetin për Paqe të NATO-s”, tha Adler përmes një përgjigjeje me shkrim
dhënë Radios Evropa e Lirë.

Jeffrey Adler po ashtu rikujtoi se “të gjitha vendimet e
Aleancës, përfshirë edhe për Partneritetin për Paqe, merren me konsensus”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Kosova
do të kërkojë që të bëhet pjesë e programit të Partneritetit për Paqe.

Nga 30 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e
kanë njohur 27 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja)
ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Se mosnjohja nga katër vendet anëtare mund të jetë pengesë
politike për anëtarësimin e Kosovës në Partneritet për Paqe e ka thënë edhe një
burim nga NATO javën e kaluar, duke rikujtuar gjithashtu parimin e miratimit të
vendimeve me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare.

Qeveria e Kosovës ka thënë se veçse ka formuar një grup punues
për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe.

Partneriteti
për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve
anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë./REL

You may also like