SHBA dhe Filipinet nisin stërvitje të madhe ushtarake

by admin
Spread the love

Manovrat, të cilat përfshijnë ushtrime luftarake detare me municion luftarak, do të zgjasin deri më 28 prill. Si pjesë e manovrave “Balikatan”, helikopterët do të zbarkojnë këtë vit në një ishull në veri të ishullit kryesor të Filipineve, Luzon, rreth 300 kilometra nga Tajvani. Ka gjithashtu plane për të praktikuar rimarrjen e një ishulli duke përdorur forca amfibe. “Balikatan” 2023 do të zhvillohet në pesë provinca, duke përfshirë Zambales dhe Palawan, të vendosura në Detin e Kinës Jugore.

Përgatitje për të reaguar ndaj “çdo krize”

Stërvitjet synojnë të përgatisin forcat e armatosura të të dyja vendeve për t’iu përgjigjur menjëherë dhe në mënyrë efektive çdo situate, krize apo emergjence, pavarësisht nga rrethanat, tha lideri ushtarak i Filipineve Andres Centino në fillim të stërvitjeve. Ata në të njëjtën kohë duhet të kontribuojnë për paqen në Indo-Paqësor.

Në shkurt, Filipinet u patën premtuar tashmë Shteteve të Bashkuara qasje në katër baza të tjera ushtarake në shtetin ishull. Më parë, forcat amerikane kishin përdorur pesë baza ushtarake filipinase.

Kina paralajmëron kundër ndërhyrjes në mosmarrëveshje

Filipinet dhe vendet e tjera po grinden me Pekinin për pretendimet e sovranitetit mbi zonat detare të pasura me lëndë të para. Kina ka krijuar ishuj artificialë për të mbështetur pretendimet e saj dhe nuk është e gatshme të njohë një vendim arbitrazhi ndërkombëtar në favor të Filipineve.

Kina ka paralajmëruar se nuk duhet të ketë ndërhyrje në mosmarrëveshjet për ujërat e diskutueshme. Sovraniteti territorial i Kinës, të drejtat detare dhe interesat e sigurisë gjithashtu nuk duhet të cënohen, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin.

Fundi i manovrave ushtarake në Tajvan

Stërvitjet e Shteteve të Bashkuara dhe Filipineve pasojnë manovrat treditore kineze para Tajvanit, të cilat Pekini tha se përfunduan të hënën. Taipei, megjithatë, sot përsëri raportoi se shikonte nëntë luftanije kineze dhe 26 avionë. Gjatë këtyre stërvitjeve ushtarake, kinezët treguan se po stërviteshin, ndër të tjera, për rrethimin e ishullit dhe sulmin ndaj “objektivave kyçe” që ndodheshin aty. /DW

You may also like