SHBA – Biden: Suedia do ta bëjë NATO-n më të fortë

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 6 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Joe Biden e ka siguruar Suedinë për mbështetjen e tij të plotë drejt anëtarësimit në NATO.

“Suedia do ta bëjë aleancën tonë më të fortë”, tha Biden gjatë vizitës së kryeministrit suedez, Ulf Kristersson dje në Shtëpinë e Bardhë.

Biden theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin duke pritur me padurim anëtarësimin e Suedisë, pas ngërçit politik muajt e fundit, pasi Turqia dhe Hungaria kanë bllokuar ratifikimin e protokollit për pranimin e Suedisë.

Anëtarët e rinj duhet të miratohen unanimisht nga të gjithë anëtarët ekzistues të NATO-s.

Udhëheqësi i SHBA-së vlerësoi Suedinë si një aleate të fortë dhe të qëndrueshme për NATO-n.

Kristersson u përgjigj duke thënë se Suedia dëshiron të bashkohet me NATO-n për të kërkuar mbrojtje të përbashkët, por se vendi gjithashtu ndjen se mund të sigurojë asetet e veta për sigurinë e NATO-s, në tërësi.

Kërkesa e Suedisë në NATO, e nxitur nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë, pavarësisht neutralitetit suedez të mbajtur prej kohësh, u bë së bashku me Finlandën, e cila është pranuar në aleancë.

Protestat anti-islame në Suedi kanë shkaktuar tensione të konsiderueshme midis Stokholmit dhe Ankarasë, muajt e fundit.

Mbetet ende e paqartë nëse mosmarrëveshja mund të zgjidhet në samitin e NATO-s në Vilnius, Lituani të martën dhe të mërkurën e ardhshme. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like