SHBA – Biden shqyrton vendimin për të ndaluar importet e naftës ruse

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 8 mars /ATSH-DPA/- Presidenti Joe Biden po shqyrton një vendim për të ndaluar importet e naftës ruse, duke marrë në konsideratë veprimet që do të nxisin prodhimin e energjisë nga autokracitë me shpresën për të zbutur efektet ndaj konsumatorëve amerikanë dhe tregjeve globale të energjisë, njoftuan sot zyrtarët amerikanë.

“Presidenti Biden është fokusuar në hapat që ne po vazhdojmë të ndërmarrim për të shkaktuar pasoja ndëshkuese ekonomike ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të kufizuar ndikimin ndaj çmimit të karburanteve”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Deri më tani, bllokimi ekonomik i Rusisë nga Perëndimi për shkak të pushtimit të saj të paprovokuar të Ukrainës ka shmangur sektorin e saj të fuqishëm të energjisë, ku zyrtarë të administratës kanë sugjeruar se një veprim i tillë mund të dobësojë ekonominë globale.

Por, ndërsa Rusia shton bombardimet e saj të pandërprera në qytetet e Ukrainës, presioni politik ndaj Perëndimit është rritur duke ushtruar presion ndaj Putinit për të ndaluar sulmin. Zyrtarët amerikanë thanë se administrata Biden po shqyrton lehtësimin e kufizimeve në importet e naftës nga Venezuela për të zbutur boshllëkun e krijuar nga ndalimi i naftës ruse, një hap politikisht problematik.

Administrata ka kërkuar gjithashtu të bindë Arabinë Saudite, e cila ka qenë nën presionin e kritikave të zyrtarëve amerikanë dhe evropianë lidhur me të dhënat e saj të të drejtave të njeriut, për të rritur prodhimin e naftës.

Biden bisedoi të hënën për më shumë se një orë me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik Boris Johnson, megjithëse leximi zyrtar i bisedës në Shtëpinë e Bardhë nuk thoshte në mënyrë të qartë dhe të detajuar nese ata kishin diskutuar një vendim për të ndaluar importin e energjisë ruse.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, “udhëheqësit konfirmuan vendosmërinë e tyre për të vazhduar me vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të saj të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës. Ata gjithashtu theksuan angazhimin e tyre për të vazhduar ofrimin e ndihmës së sigurisë, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like