SHBA – Biden nënshkruan projektligjin e buxhetit prej 13.6 miliardë dollarësh për financimin e Ukrainës

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 15 mars /ATSH-UKRINFORM/- Presidenti amerikan Joe Biden ka nënshkruar një nismë legjislative të miratuar më parë nga Kongresi, e cila parashikon shpërndarjen e 13.6 miliardë dollarëve si një përgjigje emergjente ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

“Sapo nënshkrova projektligjin për financimin e qeverisë dypartiake, duke siguruar një financim historik prej 13.6 miliardë dollarësh për Ukrainën”, njoftoi Biden në Twitter.

Siç është raportuar, të dyja Dhomat e Kongresit të SHBA-së kanë miratuar një projektligj në shkallë të gjerë me një financim buxhetor prej 1.5 trilion dollarësh javën e kaluar, duke i dhënë fund kërcënimit për mbylljen ose pezullimin e financimit federal të SHBA-së.

Dokumenti përfshin 13.6 miliardë dollarë në mbështetje të Ukrainës dhe aleatëve të saj në krahun lindor të NATO-s.

Paketa përfshin mbi 3 miliardë dollarë për të mbështetur Komandën Evropiane të Shteteve të Bashkuara, vendosjen e trupave amerikane në rajon, mbështetjen e shërbimeve sekrete, forcimin e aftësive mbrojtëse të Ukrainës dhe plotësimin e rezervave të Pentagonit të alokuara më parë për Ukrainën.

Ligji parashikon gjithashtu rreth 4 miliardë dollarë si ndihmë humanitare, ndihmë për refugjatët dhe sigurimin e ushqimit emergjent dhe ndihmës shëndetësore. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like