Senatorët paralajmërojnë takime të vështira në Prishtinë (VIDEO)

by admin
Spread the love

I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është pritur në presidencë në Beograd nga Aleksandar Vuçiq.

Ky i fundit gjatë takimit shpërtheu në ankesa për Kosovën se nuk po e zbaton marrëveshjen e para 9 vjetëve për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

U diskutua edhe për të ardhmen siç cicëroi shkurt në Twitter Miroslav Lajçak.

“Sot në Beograd, pata një diskutim të thellë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, rreth çështjeve që i kemi aktualisht në agjendë dhe rrugën përpara në dialog, përfshirë takimin e radhës të nivelit të lartë”.

Një ditë para se ta takojë evropianin, Vuçiq e qau asociacionin edhe me amerikanët.

Senatorëve Chris Murphy, Thom Tillis e Jeanne Shaheen, sikur ua mbushi mendjen për ‘fajin’ e Kosovës.

Këta paralajmëruan vizitë jo fort të lehtë në Prishtinë, të enjten, ku do ta diskutojnë edhe dialogun.

“Diskutimi, shumë i rëndësishëm, për të ardhmen e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës duhet të vazhdojë, prandaj jam mjaft i zhgënjyer që nuk është bërë më shumë progres. Ne e ngritëm këtë çështje me presidentin Vuçiq, dhe kur të arrijmë në Prishtinë do të bëjmë presion ndaj Qeverisë së Kosovës ti mbajnë premtimet që kanë dhënë si pjesë e asaj marrëveshje”, deklaroi Chris Murphy.

Veç dialogut, treshja do të diskutojë edhe integrimin evropian dhe çështjet e sigurisë.

Senatorët janë pjesë e Grupit Mbikëqyrës të NATO-s, i cili u formua me qëllim të zgjerimit të Aleancës, dhe arrijnë në Kosovë në një kohë kur vendi e synon më shumë se kurrë anëtarësimin.

You may also like