Sekretari Blinken merr pjesë në takimin e ASEAN-it

by admin
Spread the love

Në kuadrin e punimeve të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore, Sekretari i Shtetit Antony Blinken po bën takime të enjten dhe të premten në Xhakarta me homologët nga vendet anëtare të ASEAN-it.

Ai u takua sot edhe me kryediplomatin kinez Wang Yi. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, në qendër të vëmendjes së ASEAN-it janë përpjekjet për t’i dhënë fund krizës së përgjakshme prej dy vitesh e gjysëm në Myanmar dhe përgjigja ndaj veprimeve agresive të Kinës në Detin e Kinës së Jugut.

Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 1 milion persona janë zhvendosur për shkak të dhunës në Mianmar.

Junta ushtarake në pushtet në Mianmar ra dakort për një dokument prej 5 pikash të hartuar në ASEAN, vetëm pak muaj pasi rrëzoi qeverinë e zgjedhur të udhëheqëses de facto Aung San Suu Kyi, më 1 shkurt 2021. Plani përfshin dhënien fund menjëherë të dhunës, bisedime për paqe mes juntës dhe kundërshtarëve të saj, si dhe dërgimin e ndihmave humanitare. Ministrja e jashtme e Indonezisë bëri thirrje për ndaljen e dhunës.

“Dialogu do të përgatisë terrenin për një zgjidhje politike. Vetëm zgjidhja politike do të sjellë paqe të qëndrueshme. Jemi ende shumë të shqetësuar kur shohim dhunën e vazhdueshme dhe në rritje në Mianmar. Indonezia dënon fuqishëm përdorimin e forcës dhe dhunës. I bëjmë thirrje të gjithë faktorëve të heqin dorë nga dhuna, pasi kjo është e domosdoshme për t’u ndërtuar besimi”, tha zonja Marsudi.

Një ekspert i tha Zërit të Amerikës se vendet anëtare të ASEAN-it janë të ndarë për qëndrimin që duhet të mbajnë ndaj juntës ushtarake të Mianmarit.

“Pra vendet me dalje në det, Indonezia, Malajzia, Singapori, Filipinet janë shumë më në favor të demokracisë në krizën e Mianmarit, ndërsa vendet pa dalje në det, që janë shpesh më autokratike, janë më tepër në favor të juntës”, thotë Lucas Myers, nga Qendra “Wilson”.

Kina ka shtuar mbështetjen e saj për juntën ushtarake në Mianmar.

“Pra, ajo çfarë Kina shpreson të arrijë është që të sigurohet se junta do të qëndrojë në pushtet, dhe është e shqetësuar për paqëndrueshmërinë e saj dhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në rajon”, thotë zoti Myers.

Koreja e Veriut do të dërgojë ambasadorin e saj në punimet e ASEAN-it, ndërsa Kina njoftoi se ministri i saj i jashtëm nuk do të marrë pjesë për arsye shëndetësore. Kina përfaqësohet nga kryediplomati i saj Wang Yi, me të cilin bëri një takim Sekretari Blinken.

Manovrimet agresive ushtarake në rritje të Kinës në Detin e Kinës së Jugut pritet të jetë gjithashtu një pikë e rëndësishme diskutimi për Sekretarin Blinken dhe homologët e tij në ASEAN.


Top Channel

You may also like