Sassuolo dominon derbin, Scamacca dhe Berardi ndëshkojnë Bolognan

by admin
Spread the love

Sassuolo dominon dhe fiton bindshëm 1-3 derbin emilian kundër Bolognas në “Dall’Ara”. Djemtë e Dionisit zhvillojnë një ndeshje mjaft të mirë dhe falë golave të Scamacca (2) dhe perlës së Berardit triumfojnë në shtëpinë e rivalëve lokalë. Goli i Orsolinit në fund të takimit vlen vetëm për statistika, pasi ishte shumë vonë për të rihapur ndeshjen.

Ndonëse të dyja skuadrat nuk kanë më objektiva për pjesën e mbetur të sezonit, Bologna ka qenë shumë larg paraqitjeve që ka bërë në javët e fundit të Serie A. Përkundrazi Sassuolo ka qenë dukshëm superiore në çdo aspekt në këtë sfidë.

Sassuolo luan më mirë në “Dall’Ara” dhe rrezikon portën e Bolognas me Scamacca, Frattesi dhe Berardi por nuk arrin që të mposhtë portierin Skorupski.

Dominimi i miqve do të konkretizohej në minutën e 35-të me Scamacca që dërgon topin në rrjetë. E njëjta tablo shfaqet edhe në pjesën e dytë. Sassuolo luan më mirë dhe shënon sërish me Chiriches, por goli i tij anulohet nga VAR për prekje të topit me dorë.

Bologna është hija e vetvetes dhe nuk rrezikon thuajse asnjëherë në portën e miqve. Berardi shënon një supergol dhe kalon në avantazh të dyfishtë Sassuolon. Ndërsa pak minuta më vonë është sërish Scamacca ai që çon në 0-3 rezultatin e sfidës.

Bologna mundohet të reagojë, duke kërkuar golin e nderit. Kuqeblutë fitojnë një penallti në minutat shtesë dhe Orsolini tregohet i saktë nga pika e bardhë, duke shkurtuar diferencat në 1-3. Nuk ka më kohë dhe Bologna nuk arrin që të ndryshojë historinë e kësaj sfide. / Oversport.tv

You may also like