Saracin: Të mos nënçmohet periudha kohore për nxjerrjen e ndryshimeve kushtetuese

by admin
Spread the love

Të mos nënçmohet periudha kohore për nxjerrjen e ndryshimeve kushtetuese, porositi sot në Shkup i dërguari special gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin në takimin me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

I dërguari special Saracin, e përshëndeti bashkëpunimin e shkëlqyer me Bundestagun gjerman, sidomos këmbimin e përvojave për sigurimin parlamentar.

“Në kuadër të funksionit të vet, e ofroi ndihmën dhe mbështetjen për avancimin e procesit të eurointegrimeve, duke theksuar se Republika Federale Gjermane dëshiron që procesi i ndryshimeve kushtetuese të rrumbullakohet sa më shpejtë. Duke e pasur parasysh mundësinë për hapjen e negociatave me Ukrainën në dhjetor të këtij viti, rreziku nga veçimi i vendit tonë nga vendet tjera, pa përmbushjen e kërkesave të duhura evropiane, është i paevitueshëm. Për këto arsye, me rëndësi është se si do të formulohet pyetja e nxjerrjes së ndryshimeve kushtetuese, por akoma më me rëndësi është mos nënçmohet periudha kohore për nxjerrjen e tyre. Vështrimi i tij është se është humbur shumë kohë në rajon, ndërsa dinamika aktuale në BE për përshpejtimin e procesit të zgjerimit nuk guxon të lëshohet”, theksoi Saracin.

Kryetari i Kuvendit, Xhaferi shprehu mirënjohje të veçantë për angazhimin personal të bashkëbiseduesit, si edhe për mbështetjen e përkushtuar dhe të vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë për realizimin e dy qëllimeve strategjike të vendit: Paraprakisht anëtarësimi në NATO dhe tani aktualisht, aderimi në anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.

Në takim, siç qëndron në kumtesë,  u potencua bashkëpunimi dukshëm i theksuar parlamentar me Bundestagun gjerman në disa vitet e fundit në të gjitha nivelet, përfshirë edhe programi bursist IPS dhe projekti për sigurimin e pavarur parlamentar.

“Kryetari Xhaferi informoi edhe për aktivitetet të cilat si vend i ndërmarrim në raport me obligimet nga anëtarësimi në NATO për mbështetjen e Ukrainës, si edhe për procesin aktual të fillimit të ndryshimit të Kushtetutës si parakusht i vetëm i cili duhet të rrumbullakohet për hapjen e krerëve të negocimit”, citohet në kumtesë.

Të dy bashkëbiseduesit e përshëndetën bashkëpunimin e shkëlqyer në planin ekonomik dhe diasporën në Republikën Federale të Gjermanisë që paraqet një bazë të shkëlqyer për afrim dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet dy shteteve.

Në takim mori pjesë edhe ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Petra Dreksler dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Cvetanka Ivanova.

Sot, Saracin është paraparë të takohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, me ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, si dhe takim me liderin e opozitës Hristijan Mickoski, me të cilin, siç është paralajmëruar, do të takohet në selinë e VMRO -DPMNE-së.

Për nesër është planifikuar takim i të dërguarit të posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, si dhe pjesëmarrjen e tij në konferencën me temë “Përmirësimi i procesit të Berlinit, përmes demokracisë parlamentare”.

Saracin, i cili mori pjesë në Forumin e Prespës në qershor, në një intervistë për MIA-n tha se Maqedonia e Veriut nuk ka shumë kohë për të humbur, sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë.

“Nëse hapni klasterët tani pas ndryshimeve kushtetuese, rruga e vendit drejt BE-së është e pakthyeshme. Ju keni bërë një hap shumë të rëndësishëm dhe të gjithë e dinë që vendi juaj do të inkuadrohet, nuk e dimë sa shpejt, por askush nuk mund ta kthejë më vendin prapa. E shohim se çfarë po ndodh në fqinjësinë tuaj dhe sa e rrezikshme është, ku protesta të dhunshme po përsëriten në rrugë pas shumë vitesh dhe çfarë do të thotë kjo për ndjenjat e qytetarëve të këtij rajoni. Kjo thotë: aderoni sa më shpejt, qëndroni sa më afër Bashkimit Evropian, bëjeni këtë rrugë të pakthyeshme tani, në mënyrë që të jeni më të sigurt në zhvillimet e mundshme në të ardhmen, dhe ne nuk dimë çfarë të presim në javët dhe muajt në vijim”, tha në atë kohë diplomati gjerman.

MARKETING




You may also like