Rusia hap zjarr ndaj anijes tregtare në Detin e Zi – Shqip

by admin
Spread the love

Përpiqet të vendosë bllokadë por më pas tërhiqet, shtatë viktima nga sulmet ruse në Kherson

Një anije e flotës luftarake ruse qëlloi të shtëna paralajmëruese të dielën ndaj një anije mallrash në jugperëndim të Detit të Zi, ndërsa ajo lundronte drejt veriut. Kjo është hera e parë që Rusia hap zjarr ndaj anijeve tregtare përtej ujërave të Ukrainës që braktisi marrëveshjen e eksportit të drithit.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se anija patrulluese Vasily Bykov qëlloi ndaj anijes Sukru Okan me flamur të Palaut pasi kapiteni i anijes nuk iu përgjigj thirrjes për të ndaluar për një inspektim.

Rusia tha se anija po shkonte drejt portit ukrainas të Izmail. Të dhënat e transportit treguan se anija ishte pranë brigjeve të Bullgarisë dhe po i afrohej portit rumun të Sulinës. “Për të ndaluar me forcë anijen, u hap zjarr paralajmërues. Ushtria ruse hipi në anije me ndihmën e një helikopteri Ka-29. Pasi grupi i inspektimit përfundoi punën e tij në bord, anija Sukru Okan vazhdoi rrugën e tij drejt portit Izmail,” tha në deklaratë ministria ruse e mbrojtjes.

Një zyrtar turk tha se kishte dëgjuar për incidentin dhe Ankaraja po e shqyrtonte atë. Ndërsa një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes së Ukrainës tha e quajti “një akt tjetër armiqësor” nga Rusia.

Të shtënat ndaj një anije tregtare do të ngrenë shqetësime për pronarët e mjeteve të tjera tregtare, kompanive siguruese dhe tregtarëve të mallrave për rreziqet e mundshme në Detin e Zi, ku kalon rruga kryesore që përdor si Ukraina ashtu edhe Rusia për të nxjerrë në treg produktet e tyre bujqësore.

Rusia dhe Ukraina janë dy nga prodhuesit kryesorë bujqësorë të botës dhe lojtarët kryesorë në tregjet e drithit. Rusia gjithashtu ka rol dominues në tregun e plehrave kimike.

Që kur Rusia u largua nga marrëveshja e grurit e Detin e Zi, si Moska ashtu edhe Kievi kanë lëshuar paralajmërime dhe kanë kryer sulme që kanë shkaktuar shqetësime në tregjet globale të mallrave, naftës dhe transportit detar.

Në front, luftimet vijojë të ashpra në disa pika. Në rajonin jugor të Kherson-it sipas autoriteteve ukrainase, të paktën shtatë vetë u vranë pasi Rusia bombardoi dy fshatra. Një foshnjë vetëm 23 ditëshe, vëllai i saj 12-vjeçar dhe prindërit e tyre ishin në mesin e shtatë personave të vrarë nga predhat ruse.

Bombat goditën shtëpinë e tyre në fshatin Shyroka Balka në Kherson. Në mesin e viktimave dhe banorë të tjerë të fshatrave.

Klan News

You may also like