RUSI – Partia e Kremlinit kërkon furnizimin me armë në rajonet separatiste të Ukrainës

by admin
Spread the love

MOSKË, 26 janar /ATSH-DPA/- Partia e Kremlinit Rusia e Bashkuar propozoi sot furnizimin me armë për separatistët rusë në rajonet ukrainase të Luhanskut dhe Donetsk.

“Dorëzimi i armëve do të ishte një reagim ndaj furnizimeve të dërguara ushtrisë ukrainase nga Shtetet e Bashkuara”, tha partia.

Për vite me radhë, Rusia është kritikuar ndërkombëtarisht për furnizimin me armë në rajonet e shkëputura dhe gjithashtu për vendosjen e ushtarëve të saj atje, gjë që Kremlini e ka mohuar.

Rusia, megjithatë, thotë se dërgesat e armëve të Perëndimit në Ukrainë janë një faktor destabilizues në konflikt.

“Banorët në Donbas, në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, nuk mund t’i nënshtroheshin arbitraritetit të trupave të qeverisë ukrainase”, tha kreu i fraksionit të Rusisë së Bashkuar në Dumën e Shtetit, Vladimir Vasilyev.

Prandaj, partia iu drejtua qeverisë ruse me një kërkesë për të ndihmuar republikat e Luhanskut dhe Donetskut. Armët duhet t’i shërbejnë vetëmbrojtjes së qytetarëve.

Rusia i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur Ukrainës që të mos armatoset më tej, sepse kjo do të nxiste tensionet ushtarake dhe mund ta inkurajonte vendin të sulmonte rajonin e Donbasit në lindje të ish-republikës sovjetike, në mënyrë që të rimerrte krahinat separatiste pro-ruse të Luhanskut dhe Donetskut. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like