Rrjeta (e çarë) e inteligjencës izraelite

by admin
Spread the love

Më 6 tetor 1973, ushtritë arabe nisën luftën e Yom Kipurit, duke zënë Izraelin në befasi, paralajmëruar një ditë më parë nga një spiun i nivelit të lartë, dhëndri i Naserit, Marvan Ashraf, i regjistruar nga Mossad. Hamasi e humbi datën e përvjetorit për një ditë, ndoshta sepse donte të vepronte të shtunën në ditën kur armiku pushon, kur pozicionet kanë më pak roje, ka një relaksim më të madh. Surpriza ndodhi sërish, me një dështim total të të gjitha sistemeve të sigurisë.

Sulmi nga lëvizja islamike kërkonte përgatitje të gjatë. Muaj e muaj pune. Udhëheqësi ushtarak Mohammed Deif planifikoi me kujdes operacionin duke studiuar rutinën e sigurisë përgjatë kufirit të Gazës: informacionet e nevojshme për të identifikuar pikat e dobëta, çdo gabim për t’u shfrytëzuar, sjelljen e ushtarëve, rotacionin e njësive, karakteristikat e oficerëve. Numri i lartë i militantëve të përfshirë dhe lëvizjet e mëvonshme nënvizojnë se sa e madhe ishte çarja e sigurisë izraelite. Tanku në flakë dhe mjetet e blinduara të braktisura në një bazë janë dëshmi e kësaj.

Anëtarët e Brigadave Ezzedine al Qassam hynë në territorin izraelit me automjete dhe motoçikleta, të lirë të lëviznin, të qëllonin kalimtarët, të kapnin pengj dhe madje regjistronin video propagandistike.

Ata përdorën aeroplanë të motorizuar që kërkojnë stëvitje: prania e tyre ishte e njohur sepse disa ditë më parë një diplomat gjerman postoi një video pasi mori pjesë në një test, për më tepër palestinezët i kishin përdorur që në vitet 1980.

Militantët kryen inspektime përmes bashkëpunëtorëve, vlerësuan rrugët e hyrjes dhe stacionet e policisë. Një sfidë e rëndë. Si ishte e mundur që Shin Bet (shërbimet e brendshme), që ka spiunë dhe sisteme përgjimi, mjete presioni dhe bindjeje, nuk vuri re asgjë? Një operacion i këtyre përmasave duhej të zbulonte diçka.

Ka mundësi që Hamasi të ketë “dehur” armikun, ndoshta me informacione të rreme, duke arritur të kamuflojë synimet e veta. Ndoshta do të rezultojë se ka pasur raporte, të shpërfillura ose të nënvlerësuara. Ndoshta Jeruzalemi ishte mësuar me sulmet e zakonshme me raketa, një duel i kufizuar dhe nuk e kuptonte se, përkundrazi, fraksioni ishte gati për kërcimin e madh.

Bashkëpunimi i ngushtë luftarak i lëvizjes me çiftin Iran-Hezbollah tregon për këshilla, sugjerime, udhëzime se si të pushtohen fshatrat apo kibuci. Nuk përjashtohet as koordinimi i vërtetë. Për arsye strategjike: sulmi ka pasoja për të gjithë rajonin. Për arsye taktike: guerilët libanezë kanë pasur gjithmonë mes objektivave të tyre një mision të ngjashëm në Galilenë e Epërme, afër kufirit me Izraelin. Mossad nuk kapi dot asgjë? As një të dhënë? Mund të ketë një shpjegim në fshehtësinë totale të imponuar nga Deif. Dhe disa ekspertë amerikanë kanë vënë në pikëpyetje edhe antenat e NSA-së: a kanë kapur ato “pëshpëritje” në aksin Teheran-Gaza?

Dështimi i dytë është nga ushtria. Çdokush pyet veten se cila ishte madhësia e reparteve të mbetura për të ruajtur një zonë kritike. Pyetja e parë ka të bëjë me trupat e vendosura në kufirin e mbyllur nga një palisadë e lartë, e dyta ka të bëjë me ato në prapavijë. Një ekran i copëtuar nga shpërthime dhe breshëri. Në qershor tre ushtarë u vranë në kufirin me Egjiptin, një episod ku u shfaqën aspekte alarmante: turne shumë të gjata, mosfunksionime të mundshme.

Izraeli ka shpenzuar një pasuri për pozicione, sensorë, kamera dhe një sistem për të penguar tunelet klandestine. Por ata që sulmuan kanë kaluar gjithsesi dhe sipas disa burimeve kanë “ngatërruar” sistemet e mbikëqyrjes elektronike me pajisje speciale. Çështjet kritike – dhe hetimet do ta përcaktojnë këtë – prekin të gjithë zinxhirin hierarkik, nga komandantët deri te këmbësoria, por nuk kursejnë as liderët politikë. Vendi i copëtuar nga një konflikt institucional i thellë dhe i paprecedentë ka humbur fokusin tek fronti më i afërt. Që nuk është shuar kurrë. / CdS – Bota.al

You may also like