rrjedhja që po trazon botën – Shqip

by admin
Spread the love

Një rrjedhje masive nga një prej bankave private më të mëdha në botë, Credit Suisse, ka ekspozuar pasurinë e fshehur të klientëve të kompromentuar; siç raportohet, të përfshirë në tortura, trafik droge, pastrim parash, korrupsion dhe krime të tjera të rënda.

Në këtë rrjedhje të dhënash, gjenden detajet e llogarive të lidhura me 30,000 klientë të Credit Suisse në të gjithë botën. Lajmi u publikua nga The Guardian, që është pjesë e një konsorciumi të organeve mediatike që kanë akses ekskluziv në të dhënat.

Rrjedhja tregon se Credit Suisse nuk ka pasur kujdesin e duhur ndaj historikut të klientëve, pavarësisht nga premtimet e përsëritura gjatë dekadave për të hequr klientët e dyshimtë dhe fondet e paligjshme.

Raportet zbulojnë se Credit Suisse në mënyrë të përsëritur hapi ose mbante llogari bankare për një grup klientësh me rrezik të lartë në të gjithë botën.

Katalogu i madh i të dhënave bankare u zbulua nga sinjalizues anonim dhe iu dha gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung.

“Unë besoj se ligjet zvicerane të sekretit bankar janë imorale,” tha burimi. “Preteksti i mbrojtjes së privatësisë financiare është thjesht një gjethe fiku që mbulon rolin e turpshëm të bankave zvicerane si bashkëpunëtorë të shmangësve fiskalë”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Credit Suisse tha se ligjet e rrepta të sekretit bankar të Zvicrës e pengojnë atë të komentojë mbi pretendimet në lidhje me klientët individualë.

“Credit Suisse kundërshton me forcë pretendimet dhe konkluzionet në lidhje me praktikat e supozuara të biznesit të bankës,” tha banka në një deklaratë, duke argumentuar se çështjet e zbuluara nga gazetarët bazohen në “informacione selektive të marra jashtë kontekstit, duke rezultuar në interpretime tendencioze të biznesit të bankës.”

Banka tha gjithashtu se akuzat ishin kryesisht historike, dhe në disa raste datonin në një kohë kur “ligjet, praktikat dhe pritshmëritë e institucioneve financiare ishin shumë të ndryshme nga ku janë tani”.

Ndërkohë, në hartën e publikuar nga The Guardian për shtetet, individët e të cilëve kanë llogari në rrjedhjen e Credis Suisse, ndodhet dhe Shqipëria.

Sigurisht, për momentin nuk dihet se cilët janë ata emra shqiptarësh, të cilët kanë llogari aty.

Rastet konkrete që janë publikuar janë ato të një trafikanti qeniesh njerëzore në Filipine, një drejtuesi të bursës së Hong Kongut të burgosur për ryshfet, një miliarder që urdhëroi vrasjen e të dashurës së tij, që ishte yll i popit libanez, dhe drejtuesit që grabitën kompaninë shtetërore të naftës të Venezuelës, si dhe politikanë të korruptuar nga Egjipti në Ukrainë. /tesheshi.com/

 

 

You may also like