ROMË – Italia kritikon paketën gjermane të ndihmës për krizën energjetike

by admin
Spread the love

ROMË, 30 shtator /ATSH-DPA/ – Politikanët kryesorë të Italisë kanë kritikuar masat e qeverisë gjermane për të luftuar krizën energjetike dhe kanë bërë thirrje për më shumë bashkëpunim në Evropë, duke thënë se jo të gjitha vendet mund të përballojnë nivele të tilla buxhetore.

“Përballë kërcënimeve të përbashkëta të kohës sonë, ne nuk mund të ndahemi sipas mundësive të buxheteve tona”, deklaroi sot kryeministri italian Mario Draghi.

“Në takimet e ardhshme të Këshillit Evropian ne duhet të tregojmë unitet, vendosmëri dhe solidaritet, siç vepruam për të mbështetur Ukrainën”, tha ai.

Draghi, ish-drejtor i Bankës Qendrore Evropiane, kërkoi sërish një përgjigje nga BE-ja për krizën energjetike, duke përfshirë shmangien e çrregullimeve të rrezikshme dhe të pajustifikuara të tregut të përbashkët dhe mbajtjen e Evropës përsëri të bashkuar përballë vështirësive.

Giorgia Meloni, që pritet të zëvendësojë Draghi ka kritikuar gjithashtu Berlinin.

Meloni, partia e së cilës “Fratelli d’Italia” fitoi zgjedhjet parlamentare, tha se nevojitej një përgjigje e shpejtë në nivel evropian për të ndihmuar bizneset dhe familjet.

Duke folur në një takim të ministrave të Energjisë të BE-së, Meloni tha se asnjë shtet anëtar nuk mund të ofronte një zgjidhje efikase dhe të gjatë pa një strategji të përbashkët, madje as ato vende që ishin më pak të cenueshme nga pikëpamja financiare.

Më herët, qeveria gjermane njoftoi një paketë të ndihmës me vlerë deri në 200 miliardë euro (195 miliardë dollarë), si dhe një kufi për çmimin e gazit për konsumatorët.

Ndryshe nga Gjermania, disa vende të BE-së nuk kanë mjetet e duhura për të financuar nje paketë gjithëpërfshirëse. Italia, Franca dhe shumë vende të tjera të Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje për një kufi të çmimit të gazit në BE. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like