Rioni, Labinoti, Arbnori, Bleoni… plot shtatë shqiptarë startojnë te Zvicra, tre të tjerë në stol

by admin
Spread the love

Tre në mbrojtje. Dy në mesfushë e dy në sulm. Edhe tre të tjerë në stol. Të gjithë shqiptarë. Të gjithë me potencial të madh.

Nuk bëhet fjalë për Përfaqësuesen e Kosovës apo Shqipërisë. Apo për ndonjë ekip të Kosovës ose Shqipërisë.

Bëhet fjalë për Përfaqësuesen U17 të Zvicrës në futboll.

Të enjten mbrëma në Vantaa, Zvicra U17 luajti 1:1 me Finlandën vendase. Ndeshja ishte kualifikuese për Evropianin e vitit të ardhshëm. Dhe, ndeshja rikonfirmoi se Zvicra është fidanishte sa i takon futbollistëve shqiptarë. Po ashtu, rikonfirmoi se Kosova, por edhe Shqipëria, edhe për shumë vjet, ndoshta dekada, do të furnizohen me lojtarë cilësorë nga shteti helvetik.

Natyrisht, shqiptarët do të vazhdojnë të luajnë edhe për Zvicrën, si tani Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, yjet më të mëdha të këtij vendi.

Edhe në të kaluarën ka pasur ndeshje kur fanellën e Zvicrës në të njëjtën kohë e kanë veshur nga 5-6 lojtarë shqiptarë. Por, ka fare pak gjasa që në një ndeshje të Zvicrës të jenë aktivizuar nëntë shqiptarë. Dhe, që njëri prej tyre ta shënojë golin e vetëm. Kjo ndodhi të enjten mbrëma në Vantaan e Finlandës. Në Vantaan e shumë shqiptarëve.

Rion Demiri, një djalosh me prejardhje nga Presheva, që me mburrje tregon që është shqiptar dhe flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, shënoi golin e vetëm për Përfaqësuesen e Zvicrës. Ai luajti në krahun e majtë të sulmit. Në qendër të sulmit ishte Labinot Bajrami. Mesfushor qendror ishte Bleon Xhemaili. Mesfushor pak më i avancuar ishte Adriatik Salihu. Arbor Gecaj mbajti shiritin e kapitenit dhe ishte në qendër të mbrojtjes. Përkrah e kishte Leon Asllanin. Në të majtë të mbrojtjes u paraqit Loren Arifi. U aktivizuan edhe Kevin Krasniqi e Leon Frokaj. Këtë herë rastin nuk e fitoi Leart Zuka.

“Kemi luajtur mirë. Kemi pasur raste për 2:0, por nuk konkretizuam. Dhe, në fund pranuam gol. Nuk kemi pasur mjaftueshëm aksione. Por, ekipin e kemi shumë të mirë. Shpresojmë të fitojmë dy ndeshjet e ardhshme dhe të avancojmë në raundin elitë e më pas edhe në Evropian”, ka thënë për KOHËN, Rion Demiri, pak pas përfundimit të ndeshjes. Për të ishte ndeshje debutuese për Zvicrën U17. Dhe, fillimi ishte i mbarë.

“Është e vërtetë që jemi shumë shqiptarë në ekip. Kalojmë shumë mirë mes vete. Jemi si vëllezër. Por, kalojmë mirë edhe me zviceranët. Ne jemi një ekip dhe të gjithë kalojmë mirë. Unë jam pjesë e ekipit U18 të St. Gallenit dhe po zhvillohem mirë. Por, të gjithë këtu që jemi te Zvicra U17 jemi lojtarë të mirë. E kemi grupin e lojtarëve shumë të mirë”, ka shtuar Demiri.

Ka pak skuadra në dy kategoritë e para të Zvicrës që nuk kanë shqiptarë në përbërje. Edhe ekipet përfaqësuese helvetike pa shqiptarë janë të pakta.

Prej Zvicrës kanë dalë në dekadat e fundit futbollistët më cilësorë shqiptarë. Shaqiri e Xhaka ndër të tjera. Te Kosova A, aktualisht, janë shumë futbollistë me të kaluar te Zvicra, apo që vazhdojnë të luajnë në kampionatin e këtij vendi.

Ka edhe te Shqipëria. Dhe, do të ketë edhe në të ardhmen, me shumë mundësi.

“Në këtë grup-moshë ka shumë lojtarë cilësorë dhe me perspektivë. Shqiptarët po e dominojnë këtë ekip dhe është kënaqësi kur në Zvicër po na jepet mundësia që ta tregojmë kualitetin. Uroj që kjo gjeneratë dhe këta futbollistë një ditë shumë të afërt të afrohen te Kosova. Nuk është vetëm kjo moshë, por ka edhe shumë, shumë lojtarë me kualitet që po vijnë në kategoritë e reja. Kosova do të ketë edhe në të ardhmen lojtarë të zhvilluar në Zvicër. Kjo është e sigurt “, ka thënë Milaim Rama, ish-reprezentues i Zvicrës. Rama është i pari shqiptar që ka luajtur për Zvicrën. Ka hapur dyert për dhjetëra të tjerë që kanë luajtur e luajnë aktualisht.

Edukimi sportiv në Zvicër vlerësohet kulmor. Prej tij përfitojnë të rinjtë shqiptarë, fëmijët e atyre që janë larguar kryesisht nga Kosova dy e tri dekada më parë. Dhe, dalja në pah e talenteve është konstante.

Pa shqiptarë nuk ishte as Finlanda. Dren Tërrnava kompletoi ndeshjen në mesfushë. Yllson Lika u aktivizua në pjesën e dytë. Finlanda, po ashtu, ka dhënë lojtarë për Kosovën. Dhe, është një tjetër vend me potencial për të ofruar shumë në të ardhmen.

You may also like