Rikthimi i Milanit të madh, çfarë dëshiron të bëjë Investcorp me kuqezinjtë

by admin
Spread the love

Objektivi është i qartë: Të ndërtohet Milani i madh. Mirëpo, një madhështi ndryshe nga e shkuara, por një madhështi moderne. Investcorp, fondi që kërkon të blejë aksionet e Milanit nga Elliott, ka një projekt vizionar për kuqezinjtë. Në zyrat e Investcorp në Londër, flitet se po negociohen detajet e fundit për kontratën e shitjes, mirëpo për momentin është fiks koha për qetësinë përpara stuhisë. Stuhia që do të sjellë zhvillim.

Afërsisht një miliardë euro do të jetë shifra për të cilën kuqezinjtë do të ndërrojnë jo vetëm pronarët, por mbi të gjitha edhe qasjen drejt të ardhmes dhe objektivave. Një shifër që për faktin se është edhe më e lartë sesa vlera momentale e klubit, tregon seriozitetin dhe faktin se është një fond ndryshe nga të tjerët.

Pesë vite më parë, fondi Elliot pagoi 300 milionë euro, ndërsa këtë herë, duket se Investcorp ka një plan afatgjatë, të paktën dhjetë vjeçar me një objektiv madhor: Ta rikthejë Milanin mes dhjetë ekipeve më të mira europiane.

Në planin madhor për Milanin, nuk përfshihet vetëm aspekti sportiv, por mbi të gjitha edhe ai financiar, për të bërë të mundur që klubi italian të ngushtojë diferencat e frikshme ekonomike me klubet angleze, Real Madrid, PSG apo Bayern Munich.

Për Investcorp, plani është për të rikthyer Milanin mes top ekipeve Europiane që përballen me dinjitet në Champions dhe duke e bërë në vazhdimësi këtë, do të vijë edhe dita për të triumfuar. Jo vetëm kaq, por që të ndërtohet një klub i shëndoshë financiarisht, për të pasur mundësinë që çdo sezon të ndërtohet një skuadër kompetitive në të gjitha kompeticionet, dhe të mos jetë më nevoja për të larguar yjet e skuadrës në fund të çdo viti.

I gjithë plani i shitjes është në detajet e fundit dhe po bëhet përllogaritja mes dy fondeve, për të vlerësuar nëse shifra prej rreth 1 miliardësh, është ajo që do të finalizohet edhe në kontratë. /oversport.tv

You may also like