Reja: Nuk mendoj për të ardhmen, Islanda është ekip që mund ta mposhtim

by admin
Spread the love

Shqipëria do të përballet me Islandën në sfidën e fundit të Nations League. Në prag të këtij takimi trajneri Edy Reja foli në konferencën për shtyp ku foli për situatën e kombëtares dhe gabimet që janë bërë nga lojtarët kuqezi.

“I kemi listuar shpesh motivet pse kemi humbur dhe nuk po marrim rezultatet që duam. Unë prisja që në këtë edicion të Nations League të tregonim se ishin në rritje. Edhe në miqësore e kemi treguar këtë gjë, kujtoj miqësoret me Spanjën dhe Gjeorgjinë, njësoj si me Poloninë. Ne dalim këtu dhe flasim për atë që na mungon për të bërë hapin cilësor.

Flasim për gabimet që nuk janë gabime nga repartet, por individuale, ndërkohë që skuadrat e tjera bëjnë më pak gabime dhe përfitojnë. Megjithatë, tashmë është koha që të qëndrojmë të bashkuar dhe të mos bëjmë më gabime. Edhe me Izraelin bëmë disa gabime që sollën ato situata, si dhe humbën ekuilibrin, diçka që nuk duhet të ndodhë dhe këtu duhet të përmirësohemi.”

NDRYSHIMET NË FORMACION- “Mund të ketë ndryshime në ndeshjen me Islandën. Janë dy ndeshje brenda tre ditëve dhe do të shoh grupin që kam në dispozicion për të bërë zgjedhjet e mia. Lodhja dhe ngarkesa fizike ndikon, unë fola me mjekun dhe nesër do të shoh gjendjen e lojtarëve. Ata janë edhe pak të lodhur sepse nuk kanë luajtur shumë me klubet. Unë shpresoj të kem të gjithë ekipin në dispozionin, por do të shoh gjendjen e tyre dhe do të përpiqem të marrë vendimin më të mirë. Ajeti nuk është stërvitur me skuadrën sepse ka qenë me temperaturë dhe nesër do të shohim gjendjen e tij për të marrë edhe vendimet.”

SHQIPËRIA NUK KA PËRMBYSUR KURRË REZULTATIN ME REJAN NË STOL- Kemi parë shpesh që në minutat e fundit, na ka ndodhur që rezultati i ndeshjes ka ndryshuar dhe është përmbysur gjithçka dhe duhet të jemi të kujdesshëm deri në fund. Sa i përket pyetjes, është normale që kur pëson gol të demoralizohesh dhe kuptohet që ke pak probleme me aspektin psikologjik. Kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë, pasi edhe pasi pëson gol, ti ke kohën e duhur për të rikuperuar dhe për të kthyer rezultatin.

Por kjo është çështje karakteriale, është diçka që mbetet më shumë te pjesa karakteriale e një ekipi. Nuk ka një shpjegim të qartë. Para së gjithash, siç na ndodhi ne me Izraelin që kishim një dëshirë të madhe për të fituar, duhet një organizim i mirë. Duhet që skuadra të ruajë ekuilibrin dhe aty kthehemi te diskutimi i gabimeve.

Ne u nisëm për fitore. Kaluam në disavantazh të parët, lamë shumë hapësira, por sigurisht në këto momente është pjesa psikologjike që duhet t’i ndihmojë lojtarët dhe ekipit të reagojnë mirë dhe pse jo për ta përmbysur ndeshjen.

E ARDHMJA- “Nuk kam një mendim për këtë gjë. Unë mendoj vetëm për të tashmen, jo për të ardhmen. Unë mendoj vetëm për sfidën ndaj Islandës. Për të ardhmen nuk i dihet kurrë, vetëm Zoti e di çfarë ndodh në të ardhmen.”

Ndaj Islandës ne duhet të jemi sa më në formë dhe në aspektin karakterial të tregojmë se sa vlejnë. Mua nuk më shqetësojnë kritikat, ndoshta lojtarët mund të ndjejnë më shumë. Për mua është e rëndësishme që lojtarët të reagojnë dhe pas humbjes të kenë agresivitetin e duhur në fushë. Islandën e njohim dhe kemi marrë fitore, ndërsa ndeshjen e fundit bëmë një lojë të mirë, por barazuam. Është një skuadër që mund ta mposhtim, por duhet të sillemi mirë në fushën e lojës, të shmangim gabimet që kemi folur deri tani. Duhet të jemi të qetë në fushën e lojës dhe të japim më të mirën.” /oversport.tv

You may also like