Reja: Ndaj Izraelit një finale, fiton skuadra që do të tregojë më shumë dëshirë

by admin
Spread the love

Kombëtarja Shqiptare mbërriti mesditën e sotme në Tel Aviv, aty ku nesër në mbrëmje do të përballet me Izraelin në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kombeve, ndërsa trajneri Edi Reja doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli për gjendjen e skuadrës në prag të sfidës.

A e keni trajtuar si një ndeshje finale dhe a është kjo një finale për Shqipërinë?
Nëse duam të shpresojmë për vendin e parë, nuk kemi asnjë zgjedhje tjetër, përveçse të marrim fitoren nesër këtu. Ne kemi vetëm një pikë dhe kundërshtari 5, ndaj jemi të dënuar të fitojmë, për të qenë brenda objektivave. Do t’u kërkoj të gjithë lojtarëve që në fushë të zbresin për të dhënë maksimumin. Kemi punuar shumë këtë javë dhe kemi treguar shumë vëmendje në aspektin taktik, ndaj jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Duhet të kërkojmë fitoren, por edhe të bëjmë kujdes, pasi e dimë që kundërshtari mjaftohet edhe me një pikë dhe për më tepër, ka një kundërsulm shumë të rrezikshëm. Shpresojmë që të kemi në krahun tonë edhe fatin, apo episodet, që herët e tjera na kanë penalizuar.

Si ndihesh në Izrael para një ndeshjeje të rëndësishme? Si e sheh mungesën e Zahavit për kundërshtarin?
Ne e dimë forcën e Zahavit, megjithatë kushdo që të luajë në vend të tij, do të japë maksimumin. Nuk ndikojnë fare mungesat, por diferencën mendoj se do ta bëjë dëshira për të fituar. E njohim kundërshtarin dhe e dimë forcën e tij, por nesër do të fitojë skuadra që ka më shumë dëshirë për të fituar dhe do të zbresë në fushë me mentalitetin e duhur.

Kujt do t’i peshojnë më shumë mungesat, Shqipërisë apo Izraelit?
Nuk do të peshojnë aspak mungesat, por forma fizike dhe dëshira për të dhënë maksimumin e për të fituar. Duhet të shkojmë në fushë dhe të luajmë, pasi përtej mungesave, në grup edhe ne edhe Izraeli kanë lojtarët e duhur për të luajtur. Nesër unë pres që të tregohemi një skuadër e vërtetë, duke luajtur pa frikë dhe pa asnjë ndjenjë inferioriteti.

Si e keni përgatitur sfidën me Izraelin?
Ne e njohim mirë Izraelin dhe e dimë si luan, ndaj jemi përgatitur mbi bazën e këtyre njohurive, por më pas në fushë ndryshojnë gjërat. Duhet të përballojmë presionin, sidomos në minutat e para dhe më pas të tregohemi të vëmendshëm, të fitojmë sa më shumë dyluftime dhe mbi të gjitha, të shfrytëzojmë rastet tona të shënimit. Duhet të bëjmë një ndeshje perfektë, si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe atë sulmues, pasi na duhet fitorja dhe kjo arrihet duke shënuar.


Top Channel

Lexo lajme interesante

You may also like