Rangnick përzë Pogba, Juventus ëndërron rikthimin e francezit

by admin
Spread the love

“Pogba nuk do të qëndrojë. Në sezonin e ardhshëm nuk do të jetë pjesë e Manchester United”, kështu është shprehur trajneri në largim, Ralf Rangnick. Një deklaratë që menjëherë trazon ndjenjat në kampin e Juventusit.

Mesfushori prej kohësh ka dhënë sinjalet se dëshiron të largohet nga United dhe as afrimi i trajnerit Ten Hag nga sezoni i ardhshëm nuk kanë bërë asgjë për ta ndryshuar këtë qëndrim. Kjo bën që menjëherë te Juventus të ndizen sirenat e alarmit për t’u vënë në lëvizje dhe për të bërë të mundur rikthimin e francezit në Torino.

Mirëpo, me gjithë dëshirën e madhe, për ta rikthyer në Torino, Juventus duhet të bëjë një sforco të madhe ekonomike. Aktualisht, Pogba fiton 15 milionë euro në vit. E për ta rikthyer në Torino, do të duhej së paku përgjysmim i bazës që paga neto të jetë deri në 7.5 milionë euro dhe për ta plotësuar më pas me bonuse të ndryshme.

E rëndësishme do të jetë dëshira e mesfushorit, që në këtë rast, Juventusin do ta zgjidhte vetëm si çështje zemre, mirëpo pas dere si kërcënim për bardhezinjtë janë PSG dhe Real Madrid, të gatshme për të përfituar nga situata e francezit.

Madje, të gatshme për t’i ofruar pagesë dyfishe, nisur nga fakti që ai do të jetë një futbollist i lirë në fund të këtij sezoni. Dhe gjasat janë, që nuk është aspak rastësi që Juventus po punon për emra si Milinkovic-Savic, Jorginho apo Renato Sanches. / Oversport.tv

Foto: Manchester United Twitter

 

You may also like