Putin mund të zgjerojë konfliktin, NATO shton praninë ushtarake në Europën lindore

by admin
Spread the love

NATO do të dislokojë katër grupe të reja luftarake në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki, si pjesë e përgjigjes së aleancës perëndimore ndaj pushtimit rus të Ukrainës, njoftoi sot sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

NATO aktualisht ka dislokuar grupe luftarake në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni.

“Kjo do të thotë se ne do të kemi tetë grupe luftarake shumëkombëshe të NATO-s në të gjithë krahun lindor nga Balltiku në Detin e Zi”, tha Stoltenberg përpara një samiti të jashtëzakonshëm të NATO-s të planifikuar për të enjten.

“Ne po përballemi me një realitet të ri për sigurinë tonë, kështu që ne duhet të rindërtojmë mbrojtjen tonë për një afat kohe më të gjatë”, tha ai.

Ndërkohë, ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, tha se gjatë samitit të nesërm të NATO-s do të diskutohen të gjitha opsionet e aleatëve, edhe ato më agresive si ato sllovake që propozojnë dërgimin e raketave S-300 të saj në Ukrainë, ose të Polonisë, që propozon krijimin e një force paqeruajtëse në atë vend të goditur nga agresioni rus. “Çdo opsion është në tryezë, asnjë nga këto nuk është përjashtuar në parim”, shtoi ajo.

Po sot, nga selia qendrore e forcave të NATO-s për Europën (SHAPE), që ndodhet në Bruksel, vijnë sinjale që shqetësimi për të ardhmen e konfliktit të nisur nga Vladimir Putin është i madh.

“Putin dhe rrethi i tij i ngushtë nuk ka asnjë kujdes për jetën njerëzore, nuk i intereson. Putin ka ndryshuar të gjithë retorikën e tij të deritanishme për Perëndimin, ka një urrejtje të madhe ndaj shoqërisë dhe vlerave tona, prandaj ne mendojmë se është shumë i rrezikshëm dhe që aleanca atlantike ndodhet para një kërcënimi real”, deklaroi një zyrtar i organizatës.

You may also like