Punonjëset e McDonald denoncojnë kulturën e abuzimit seksual nga eprorët në restorantet në Britani (fotot)

by admin
Spread the love

Një kulturë toksike sulmesh e ngacmimesh seksuale, racizmi dhe bullizimi është denoncuar së fundmi nga më shumë se 100 punonjëse aktuale të kompanisë gjigante McDonald’s në Britani.

Raportimet në rrjetin shtetëror BBC tregonin se punonjëset nganjëherë 17 vjeçare ose më të reja, ngacmoheshin e prekeshin vazhdimisht ose duhet të vendoseshin në lidhje seksuale me menaxherët ose eprorët e tyre.

Një grup monitorimi në Britani tha se pas denoncimeve një linjë e hapur telefonike është ngritur për denoncimet.

McDonald’s ka pranuar se nuk ka arritur të ruajë standardet e mbrojtjes së stafit në punë dhe ka kërkuar ndjesë “thellësisht”.

Kompania tha se punonjësit e saj meritojnë të punojnë në një ambjent të sigurtë, të respektueshëm e inkluziv.

BBC kishte nisur të hetonte kushtet e punës në McDonald’s prej fillimit të vitit kur kompania pranoi të bashkëpunonte me Komisionin e të Drejtave duke u zotuar të mbrojte stafin nga ngacmimet seksuale.

Asokohe McDonald’s insistonte se “Ne kemi precedentë shumë pozitivë në këte fushë”, por hetimet zbuluan një tjetër histori.

Gjatë pesë muajve të hetimeve, më shumë se 100 punonjëse të McDonald’s raportonin ngacmime ose sulme seksuale nga eprorët ose kolegët meshkuj.

Mes abuzimeve të tjera ishin racizëm, presion për akte seksuale, homofobi.

Anëtarë të stafit tregonin për marrëdhënie seksuale mes menaxherëve dhe anëtareve të reja të stafit, që është në kundërshtim të politikave të kompanisë.

Vajzat e reja thonin se gjykohen vazhdimisht nga pamja e tyre.

Një raportuese aktuale tha se kolegët meshkuj i referoheshin si “mish i freskët” kur ajo nisi punë në degën e Nottingham. Ndërsa të tjera femra thonin se detyroheshin nga menaxherët të mbanin uniforma që ishin tepër të ngushta për to.

“Ka një shprehje që përdorin te McDonald’s, ‘gjoksin te kasa’ – djemtë në kuzhinë, vajzat në banak, për të nxjerrë përpara njerëzit më tërheqës,” thotë 22 vjeçarja Lucy, e cila ka punuar në Norwich.

“Nëse shkon të punosh te McDonald’s, prit që të të ngacmojnë,” shton 20 vjeçarja Emily, e cila thotë se u largua nga puna në Brighton pasi një koleg mashkull rreth të 60-ave e prekte vazhdimisht në flokë dhe bënte komente seksuale.

McDonald’s është një nga punësuesit më të mëdhenj në Britani me 170,000 njerëz që punojnë në rreth 1,450 restorante. Ngjarjet abuzive raportohen shpesh me vajza ose djem të rinj që shkojnë në punë për herë të parë.


Top Channel

You may also like