“Pse të mos e drejtojë Berisha PD-në?”, Blendi Fevziu zbulon gabimin fatal të Lulzim Bashës

by admin
Spread the love

Gazetari Blendi Fevziu e quajti gabim fatal vendimin e Lulzim Bashës për të larguar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së.

Deklarata e Fevziut:

“Nëse prishen rregullat, Shqipëria duhet formuluar nga e para. Më tronditi deklarata e Bashës se rregullorja nuk ka Kuvend. Nesër ngrihet Rama në mëngjes dhe thotë se Shqipëria po ecën shumë mirë, në rrugën e duhur. Ka ca rregulla. Po prishe rregullat e lojës, mund të shkosh ku të duash. Neve na mbajnë ca rregulla loje.

Nuk e di fare ku po shkon z. Berisha. Realisht nuk e di nëse po shkon drejt drejtimit të PD, por as nëse ka një plan B. Pse të mos e drejtojë Berisha PD, nëse vendos partia? Problemi i vetëm është një gjë tjetër. Ka qenë një periudhë kur kam qenë student, që thuhej se kush do ta zëvendësojë Ramiz Alinë. Në fakt doli Fatos Nano, që rezultoi shumë më i mirë se Ramiz Alia. Pra, nuk mund të thuash se nuk ka tjetër. Në demokraci asnjë nuk është i pazëvendësueshëm. Mendoj që Basha ka bërë një gabim fatal, se nuk mund të largojë Berishën nga grupi parlamentar. Nëse Basha është në dijeni të fakteve të rënda, siç thotë, duhet t’i bëjë publike. Ai mori një vendim personal, por unë jam kundër vendimit personal, duhej hedhur në votë. E dyta, nuk mendoj se gjërat zgjidhen duke menduar ne se kush është më i fortë. Ka një trazim në PD, që unë mendoj se vjen nga humbja e zgjedhjeve. Nëse do fitonte zgjedhjet, Basha do ishte më i fuqishëm, ndërsa Berisha do ishte në shtëpi. Për mua duhet të gjendet një figurë e tretë, një i ri, jo nga themeluesit e PD. Vendi ka nevojë për një parti të djathtë.

Unë mendoj se një parti fuqizohet duke u hapur, duke shtuar njerëz, duke mos qenë bunker, duke i bërë gjërat reale, duke mos i bërë gjërat fakte. Vetëm hapja e fuqizon një parti politike. Partia është klub njerëzish, nuk është klub privat. Është bashkim. Para disa ditësh dëgjova Baton Haxhiun, që tha se PD ka njerëz, me të cilët do të vijë në pushtet. Njëri prej tyre më tha të nesërmen, se problemi nuk është se politika bëhet ku vihet pika e presja, por është frymëzim, ambicie, por edhe një lloj deliri. Unë mendoj se Rama është më aktiv. Është përditë në inaugurime, takime, lëviz nëpër qytete. Vetë PS nuk është e hapur dhe PD po bëhet si ajo. Por, edhe në PS pati lëvizje, ku Ditmir Bushatin e futi sërish në parti, i dha mundësi.”, tha Fevziu.

You may also like