Projektet kapitale të KOSTT-it i nënshtrohen auditimit publik

by admin
Spread the love

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës në Ndërmarrjen Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) në fushën e prokurimit publik me temën “Auditimi i projekteve kapitale (2015-2021)”.

Qëllimi kryesor i këtyre projekteve kapitale në KOSTT është që të kontribuojnë në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë. Trajtimi i kësaj teme të auditimit është e rëndësishme, pasi që KOSTT është shoqëri aksionare 100% në pronësi të Republikës së Kosovës, nuk është audituar nga ZKA që nga viti 2010 si dhe për arsye se projektet kapitale janë me interes të lartë publik dhe ndikim të gjerë social dhe ekonomik.

Aktivitetet e prokurimit në KOSTT, sikurse në çdo autoritet
tjetër kontraktues, duhet të zhvillohen në pajtim me parimet e ekonomisë,
efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, parime të sanksionuara me ligjin e
prokurimit publik dhe më gjerë, që kanë për qëllim të sigurojnë se prokurimi
arrin qëllimin e përcaktuar.

Investimet kapitale në KOSTT bëhen nga fondet publike si dhe
nga financimet e organizatave ndërkombëtare. Projektet e financuara nga fondet
publike duhet të kryhen sipas ligjit të prokurimit publik në Kosovë, ndërsa në
rastet kur projektet financohen nga organizatat e jashtme, procedurat e
prokurimit zhvillohen në përputhje me rregullat dhe politikat e caktuara
ndërkombëtare të prokurimit.

Gjatë viteve 2015-2021, KOSTT ka realizuar projekte kapitale
në vlerë prej 78,758,545€. Nga kjo vlerë 62,569,411€ e përbëjnë dy projektet
ndërkombëtare, projekti i financuar nga Banka Gjermane “Përmirësimi i Rrjetit
të Transmisionit Faza IV dhe V nga LOT 1 deri 4” dhe projekti i financuar nga
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) “Zhvillimi i Transmisionit
të Kosovës LOT 1 deri 3”. Kurse vlera prej 16,189,134€ përfshinë grupin e
projekteve të financuara nga buxheti i KOSTT të cilat po ashtu kanë të bëjnë me
blerjet dhe rehabilitimin e rrjeteve të transmisioneve të Kosovës. 

Objektivi i këtij auditimi është të vlerësojmë nëse
menaxhmenti i ndërmarrjes publike KOSTT është siguruar se projektet kapitale
për vitet 2015-2021 janë prioritizuar dhe planifikuar në mënyrë të duhur si dhe
nëse menaxhimi i proceseve të prokurimit është bërë konform legjislacionit në
fuqi dhe janë arritur rezultatet e synuara të prokurimit.

Subjekt i këtij auditimi është KOSTT me njësitë vartëse të
ndërlidhura me zhvillimin dhe menaxhimin e projekteve kapitale. Për qëllime të
verifikimit dhe marrjes së informatave krahasuese do të përfshijmë edhe
Drejtorinë për Çmime dhe Tarifa në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, pasi që
kjo zyrë bënë koordinimin, aprovimin dhe monitorimin e KOSTT mbi këto nisma
investive. Po ashtu, subjekt i auditimit është edhe Zyra e Inspektoriatit të
Energjisë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë për të siguruar se kjo zyre ka
bërë vlerësimin e disa nga pajisjeve elektroenergjetike të cilat bëjnë pjesë
tek projektet kapitale fushëveprim i këtij auditimi.

Fushëveprimi i këtij auditimi përfshinë kontratat e prokurimit
të nënshkruara për periudhën 2015-2021, ku nga gjithsej 148 projekte kapitale
të regjistruara, kemi përzgjedhur për auditim 42 projekte në vlerë prej
50,631,956€ duke përfshirë këtu edhe dy projektet me marrëveshje ndërkombëtare.
Përzgjedhja e projekteve është bërë sipas gjykimit profesional, rëndësisë
materiale dhe natyrës së projekteve.

Ky auditim synon të rris llogaridhënien, transparencën dhe
integritetin e aktiviteteve lidhur me investimet kapitale në KOSTT dhe aty ku
është e nevojshme të ofroj rekomandime që fondet publike të shfrytëzohen në
mënyrë më efektive dhe efikase dhe të arrijnë qëllimet e synuara.

You may also like