Prodhimi i çipëve, Von der Leyen do të prezantojë planin në shkurt –

by admin
Spread the love
“Europa nuk mund t’ia lejojë vetes të varet nga të tjerët për furnizimet e mikroprocesorëve”

 

“Deri në vitin 2030, 20% e prodhimit të mikroçipëve duhet të bëhet në Europë. Kini parasysh që prodhimi botëror do të dyfishohet – kjo do të thotë se duhet katërfishohet prodhimi aktual i çipëve. Nuk kemi kohë për të humbur” – deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në fjalimin në samitin e World Economic Forum të Davos në Zvicër.

Presidentja njoftoi se në “shkurt, Komisioni do të prezantojë Chip Act, për të forcuar kapacitetin e prodhimit të mikroçipëve dhe do të përfshijë ndryshime në rregullat e ndihmës shtetërore për të krijuar fabrika për prodhimin në Bashkimin Europian”.

Chip Act do të veprojë në pesë pika kyçe: 1) “më shumë prodhim”, i përqendruar në BE; 2) “leadership europian” në dizajn; 3) përmirësim i “‘kutisë së veglave’ të nevojshme për të trajtuar mungesën” e çipave; 4) mbështetje kompanive të vogla “inovative”; 5) si dhe një “modifikim i mëtejshëm i rregullave të ndihmës shtetërore” për të mbështetur kapacitetin prodhues.

Ursula von der Leyen theksoi një koncept të shprehur në disa raste: “Europa nuk mund t’ia lejojë vetes të varet nga të tjerët për furnizimet e mikroprocesorëve”.

Presidentja e Komisionit tha më pas se “kërkesa për gjysmëpërcjellës në botë po shpërthen, mikroçipat sot janë kudo, nuk ka ekonomi dixhitale pa mikroçipë dhe nevojat e BE do të dyfishohen në 10 vjet” – shtoi ajo. Sipas Von der Leyen, Europa pozicionohet mirë kur flitet për “kërkim” dhe për “komponentë” për krijimin e fabrikave të çipave, kjo është një strategji për të rritur sovranitetin europian në një sektor kaq vendimtar.

 

Shembulli holandez

Në nëntor 2021, Ursula von der Leyen vizitoi së bashku me komisionerët Margrethe Vestager dhe Thierry Breton, si dhe kryeministrin holandez, Mark Rutte, kompaninë Advanced Semiconductor Materials Lithography (ASML) në Eindhoven.

“Synimi ynë është të dyfishojmë pjesën e saj të tregut në çipë brenda vitit 2030, edhe në çipë më inovativë. Kjo do të thotë të arrish 20% të kuotës në tregun global. Sot jemi në 10%. Dhe Europa i ka të gjitha mundësitë për t’ia dalë. ASML e tregon – pati deklaruar Von der Leyen në atë rast. – Kompania është një gjigant i sektorit në Europë dhe do të ketë një rol të rëndësishëm në përpjekjet tona për ta bërë Europën më konkurruese dhe më sovrane në sektorin teknologjik. Ky është objektivi i European Chips Act që do të propozojmë në pjesën e parë të vitit”.

 

You may also like