Prishtina “godet” katër vatra të Beogradit në kufi me Shqipërinë – Shqip

by admin
Spread the love

Autoritetet kosovare i kanë mbyllur të premten katër komuna paralele serbe që po vepronin jashtëligjshëm në qarkun e Dragashit(kufiri me Shqipërinë dhe Maqedoninë), në jug të Kosovës, siç informoi ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.

“Institucioni i vetëm i Serbisë në Republikën e Kosovës do jetë ambasada e saj në Prishtinë”, tha Sveçla.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se komunat paralele u mbyllën në fshatin Vranisht në Dragash, të cilat kishin vepruar në një objekt të përbashkët.

Ai shtoi se ato kanë vepruar dhe kanë lëshuar dokumente jashtëligjshëm për qytetarët e komunave Prizren, Suharekë, Rahovec dhe Dragash.

“Aktiviteti i strukturave paralele të Serbisë ka fund. Këto objekte nuk mund të ekzistojnë. Funksionaliteti i tyre është në kundërshtim me ligjin. Kosova ka komuna të cilat janë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët dhe ky objekt sikurse objektet e tjera që kanë vepruar në Kosovë janë jashtë juridiksionit të Kosovës dhe si të tilla nuk kanë vend në Kosovë”, tha Krasniqi.

Ky vendim vjen një ditë pasi autoritetet kosovare hoqën një bilbord në Zveçan, me fotografi të personaliteteve të ndryshme, përfshirë presidentin e Serbisë dhe atë të Rusisë, me arsyetimin se nuk do të lejohen simbolika të personave që kanë qasje agresore ndaj Kosovës.

“Dje në Zveçan e sot në Dragash, ashtu siç jemi zotuar, rend dhe ligj anekënd e në çdo cep të Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla të premten.

Sipas të dhënave publike të Qeverisë së Serbisë, në territorin e Kosovës, Serbia ka mbi 20 komuna paralele aktive.

Disa prej tyre kanë pak staf, por ato më të mëdhatë, si komuna paralele e Prishtinës me seli në Gracaniçë apo komunat paralele në veriun me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë staf më të madh dhe kryejnë detyra të përditshme, ngjashëm si komunat zyrtare dhe të ligjshme të krijuara nga institucionet e Kosovës. /REL/

You may also like