POLONI – Ligjvënësit ndryshojnë reformat në drejtësi në përpjekje për të liruar fondet e ngrira

by admin
Spread the love

VARSHAVË, 13 janar /ATSH-DPA/ – Ligjvënësit polakë votuan sot për të ndryshuar një pjesë të reformave të diskutueshme në drejtësi, të qeverisë së krahut të djathtë në pushtet, në një përpjekje për të liruar fondet e ngrira të ndihmës së Bashkimit Evropian.

Sejm, Dhoma e Ulët e parlamentit të Polonisë, i dërgoi vendimin Senatit polak për miratimin përfundimtar.

Komisioni i BE-së ka ngrirë miliarda grante të ndihmës së Covid-19 për Poloninë, pas shqetësimet se një pjesë e një pakete të mëparshme të reformës në drejtësi po minon ligjin e së drejtës në vend dhe po shkel angazhimet e Bashkimit Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se komisioni do të analizonte ligjin vetëm pasi të ishte miratuar nga Dhoma e Lartë e parlamentit.

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki tha se është arritur një kompromis i vështirë.

“Ne duam t’i japim fund kësaj mosmarrëveshjeje me Perëndimin, sepse armiku i vërtetë, kundërshtari i vërtetë është në lindje, dhe unë mendoj se të gjithë polakët janë të vetëdijshëm për këtë”, tha ai duke iu referuar Rusisë, sipas agjencisë “PAP”. //a.i/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like