Plori: Koha për fitore, ndaj Skënderbeut të korrigjojmë shënjestrën

by admin
Spread the love

Trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër Skënderbeut, që do të luhet ditën e shtunë në orën 16:45 në “Loro Boriçi”.

“Nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. Duhet vlerësuar maksimalisht edhe kjo ndeshje, duke ditur edhe ecurinë jo shumë të mirë që kemi patur në ndeshjet e fundit.

Në 5 javët e fundit kemi 2 humbje dhe 3 barazime. Po shënojmë shumë pak dhe kështu që duhet ta vlerësojmë maksimalisht edhe këtë sfidë dhe të jemi shumë seriozë në fushë.

Ne shpresojmë që kalendari i këtyre dy ndeshjeve të radhës të jetë një frymëmarrje për ne, por e rëndësishme është që pjesa ofensive e skuadrës tonë të funksionojë më mirë. Në ndeshjet e fundit nuk e ka bërë si duhet këtë gjë. Duhet që ndaj Skënderbeut, ato mundësi e raste që do na krijohen, t’i shfrytëzojmë dhe të marrim fitoren.

Edhe unë ndjehem keq kur dëgjoj të thuhet se kur do ta marrë fitoren e parë Plori. Edhe unë ndjehem keq nga kjo situatë e krijuar. Gjithsesi unë jam një djalë shkodre dhe kam patur mbështetjen tuaj gjatë gjithë kësaj kohe.

Nuk është se kam ardhur tani unë këtu, jam prej dy vitesh pjesë e Vllaznisë. Më shumë se unë besoj se askush nuk e do më shume fitoren dhe deri tani mund të them se kemi bërë vetëm një punë të mirë, kualifikimin në finalen e Kupës.

Vetëm aty jam ndjerë mirë dhe shpresoj që deri në fund të kemi edhe shumë momente të tjera të tilla dhe të arrijmë objektivat që kemi”, ka thënë trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori. / Oversport.tv

You may also like