Pioli: Ndihet presioni, sepse synojmë titullin që nuk imagjinohej në fillim të projektit

by admin
Spread the love

Trajneri i Milanit ka komentuar fitoren ndaj Genoas. Në fjalët e tij pas ndeshje, sigurisht që fokusi kryesor është lufta për titullin kampion në Serie A.

“Jemi në krye dhe ne duam që të provojmë deri në fund të mbajmë vendin e parë. Do të tentojmë që t’i fitojmë të gjitha ndeshjet në vijim. Jemi të kënaqur për këtë fitore që kemi marrë, pasi kemi pasur vërtetë qasjen e duhur në ndeshje dhe jemi rrezikuar fare pak”, nisi fillimisht trajneri i kuqezinjve.

Më tej, Pioli ka nënvizuar faktin se skuadra e tij, me gjithë presionin e shtuar nuk ka pësuar gol. Kjo për kuqezinjtë, ishte e gjashta ndeshje radhazi me portën të blinduar nga prapavija.

“Skuadra po punon shumë dhe unë po kërkoj vazhdimisht shumë prej tyre. Kemi bërë mirë dhe duhet të vazhdojmë kështu. Tensioni sigurisht që ndihet. Presioni shtohet. Jua kam thënë lojtarëve që vitin e shkuar ka pasur më tepër tension. Pasi nuk e dinim nëse do të ruanim as vendin në katërshen e parë. Tani presioni është, por duhet të jemi optimistë, sepse po synojmë titullin. Një objektiv, që as nuk e imagjinonim kur nisëm këtë projekt”, vijoi trajneri.

Në radhë, është edhe Kupa e Italisë, për të cilën trajneri kërkon maksimumin.

“Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme në gjysmëfinalen e kthimit ndaj Interit. Mirëpo, një ndeshje që nuk mund të ndryshojë rrjedhën e ndeshjeve në kampionat. Do të japim maksimumin, duke ditur që të njëjtën gjë do të bëjë edhe kundërshtari”, ka deklaruar trajneri Stefano Pioli. /Oversport.tv

You may also like