Petrovska: Gjendja e sigurisë stabile, vendimet i sjellim si anëtare e NATO-s

by admin
Spread the love

Gjendja e sigurisë në Maqedoni të veriut është stabile. Institucionet, të gjitha në kompetencat e veta, po ndërmarrin masa dhe aktivitete me të cilat e garantojnë atë siguri. Ne nuk jemi vetëm, jemi anëtare e NATO-s që është ndër përfitimet nga anëtarësimi ynë dhe nuk kujdesemi vetë për sigurinë tonë, por jemi pjesë e sistemit kolektiv për siguri të NATO-s, deklaroi sonte ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska në “Top tema” në TV Telma.

“I dënojmë ashpër të gjithë, edhe si udhëheqje shtetërore e dënuam sulmin, agresionin ushtarak posaçërisht që bëhet fjalë për sulm ndaj sovranitetit territorial dhe integritetit të Ukrainës”, tha Petrovska, e cila shprehi keqardhje për humbjen e jetëve njerëzore. Sërish bëri thirrje të mbisundojë maturia dhe të gjendet zgjidhje me anë të rrugë diplomatike.

Ajo theksoi se në këtë moment nuk na imponohen kurfarë obligime të posaçme, por jemi pjesë e sjelljes së vendimeve në NATO dhe paralajmëroi se në atë drejtim është edhe pjesëmarrja e nesërme e presidentit Stevo Pendarovski në Samitin e NATO-s, ku do të marrin pjesë të gjithë shefat e shteteve anëtare dhe në të cilin do të sillet vendimi për veprimet e mëtutjeshme të Aleancës.

Petrovska theksoi se nuk ka nevojë të ngritet gatishmëri luftarake dhe shtoi se armata çdoherë është e gatshme t’u përgjigjet sfidave.

E pyetur për mbledhjen e sotme të Qeverisë dhe për vendimet e miratuara, Petrovska thotë se kjo do të thotë se sillemi si anëtare e barabartë e Aleancës, por edhe si aspirante për anëtarësim në BE. Informoi se politika jonë e sigurisë harmonizohet me politikën e BE-së të sigurisë.

“Por, edhe paraqet mënyrë në të cilën e shprehim kundërshtimin tonë se nuk pranojmë sjellje me të cilat shkelen marrëveshjet ndërkombëtare, shkelen të drejtat e njeriut, sjelljet të cilat shkaktojnë humbje njerëzore dhe sjelljet të cilat nuk çojnë drejt zgjidhjeve, por drejt ndezjes së konflikteve”, deklaroi Petrovska.

Për valën e mundshme të refugjatëve, Petrovska tha se shteti do t’i ofronte kapacitetet e veta.

You may also like