Përmbytje të gjera nga reshjet masive në veri të Francës (fotot)

by admin
Spread the love

Pamje ajrore tregonin sot përmbytjet e papritura në qytetin e Arques, në veri të Francës pas shiut të pandalur të ditëve të fundit.

Mijëra vendas u detyruan të largohen nga banesat e tyre pas lëshimit të alarmit nga autoritetet në Pas-de-Calais, teksa më shumë shi pritet në vijim.

Disa nga rrugët mund të kaloheshin vetëm me barka dhe dhjetra shkolla janë mbyllur.

Dy lumenj të zonës, Aa dhe Liane u shpallën të rrezikshëm nga autoritetet e Pas-de-Calais.

Ministri i brendshëm Gerald Darmanin tha në rrjetet sociale se shtatë njerëz ishin plagosur, por nuk dha më shumë detaje. Ai shtoi se më shumë se 1000 zjarrfikës ishin dërguar në rajon.

Agjencia monitoruese vendase Vigicrues, i përshkruante përmbytjet si “të jashtëzakonshme” por nuk jepte më shumë shpjegime.

Në qytezën e Blendecques, e cila u godit nga përmbytjet edhe vitin e kaluar në nëntor, vendasit e shtangur llogarisnin dëmet.

“Çdo gjë duhet të riparohet përsëri, ky është një ujë i tmerrshëm” ankohej 43-vjeçari vendas Ludovic Provence, për rrjetin AFP.