PDK dorëzon kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të ZRRE-së (Dokument)

by admin
Spread the love

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar Kallëzim Penal për anëtarët e Bordit të ZRRE-së, në Prokurorinë Speciale të Kosovës, për moszbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore, për pezullimin e zbatimit të vendimit për shtrenjtimin energjisë për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Bajrush Xhemajli u shpreh se përkundër detyrimit ligjor për të zbatuar vendimin e gjykatës, ZRRE dezinformoi opinionin publik, duke thënë ky vendim nuk mund të zbatohet pasi ata do të ankohen në Gjykatën e Apelit.

“Sot ishim në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të deponuar një kallëzim penal kundër ZRRE-së dhe bordit të saj dhe për shkakun se nuk e ka zbatuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullimin e ngritjen së çmimit të energjisë në Kosovë. Me 9 shkurt ne kemi ngritur një padi në Gjykatën Themelore kundër ZRRE-së si shkak qe ka ngritur çmimet enorme deri 109 përqind në  kohën e krizës, në kohën e pandemisë dhe në kohën e krizës energjetike”, u shpreh ai.

Ai tha se ata kanë bërë edhe kërkesën për pezullimin e zbatimit të vendimit të ZRRE-së, përcjell Klankosova.tv.

“Në njërën anë kanë dhënë 100 milionë për energji elektrike, kurse në anën tjetër ua merr në një formë tjetër qytetarëve, ne kemi dal në mbrotje të interesit qytetar, andaj kemi ngritur padi dhe krahas padisë kemi bërë edhe kërkesën për pezullimin e zbatimit të vendimit të ZRRE-së”, u shpreh tutje ai.

Ndërkaq, avokati i PDK-së, Faton Fetahu tha se ky kallëzim penal ndaj secilit anëtar të bordit të ZRRE-së do të sjellë pasoja të rënda juridike për ta.

“Meqenëse operatori i shpërndarjes me udhëzime të anëtarëve të bordit të ZRRE-së nuk e respektuan aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ky kallëzim penal ndaj secilit anëtar të bordit të ZRRE-së do të sjellë pasoja të rënda juridike për ta. Meqenëse ata i kanë konsumuar tashmë 4 vepra penale, baza e të cilave lidhet me mos zbatimit e vendimit gjyqësor dhe ata me dashje dhe me qëllim kanë dëmtuar interesin e qytetarëve, të cilët i ka mbrojtur Gjykata me vendimin e saj”, tha Fetahu.

You may also like