PD bën padi për thyerjen e derës dhe shpërthen në akuza të forta ndaj Sali Berishës

by admin
Spread the love

Partia Demokratike ditën e djeshme ka bërë padi ndaj mbështetësit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Fatjon Dauti i cili shkelmoi derën e sallës ku bëhen mbledhjet e Këshillit Kombëtar në selinë blu. PD me anë të një njoftimi bëri të ditur se Dauti është një person me precedentë kriminal dhe një anëtar me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër.

“Partia Demokratike kallëzon penalisht Fatjon Dautin, personin që shoqëronte Sali Berishën dhe ndërmori akte dhune në selinë e Partisë Demokratike. Pas analizimit të pamjeve filmike rezulton se i urdhëruar nga deputeti Flamur Noka, shtetasi Fatjon Dauti, person me precedent të rëndë kriminal, që shoqëronte Sali Berishën, ka dhunuar ambientet e selisë qendrore të Partisë Demokratike. Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britaninë e Madhe, shtetasi Fatjon Dauti është cilësuar person i aftë për dhunë ekstreme dhe një anëtar me ndikim në një rrjet kriminal shqiptar me qendër në Londër”, njoftoi PD.

Po ashtu PD në reagimin e saj zyrtar shprehet se sjellja e ish-kryeministrit së bashku me bosë të krimit të organizuar, është një nga aktet më të shëmtuara që ka ndodhur në 31vite ekzistencë të partisë. PD shprehet se përpjekjet e tyre për të zëvendësuar institucionet e partisë me aktet e dhunës janë akte tipike ilegale. Sipas PD, institucionet e partisë kanë marrë vendimet e tyre duke zgjedhur të ardhmen dhe interesin e demokratëve.

“Sjellja nga Sali Berisha në selinë e Partisë Demokratike e bosëve të krimit të organizuar, me në krye Fatjon Dautin, është akti më i shëmtuar që ka ndodhur në këto 31 vite të ekzistencës së PD. Selia e demokratëve nuk mund të sulmohet me trafikantë droge. Përpjekjet për të zëvendësuar institucionet e partisë me aktet e dhunës së bosëve ndërkombëtarë të krimit të organizuar, janë akte tipike të një celule ilegale. Institucionet e partisë kanë marrë vendimet e tyre, duke vendosur përfundimisht të zgjedhin të ardhmen, interesin e demokratëve”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu selia blu në reagimin e saj ka akuzuar Berishën për fyerje të pashembullt ndaj anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. PD shprehet se etiketimet fyese si ekstremistë të majtë apo enveristë të thekur tregojnë qartë se Berisha ka zgjedhur të shkelë mbi demokratët dhe të vendosë interesin e tij përpara interesit të tyre. Sipas PD, Kryesia e partisë, Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar kanë zgjedhur të ardhmen dhe interesin e demokratëve duke mos lejuar mbylljen e partisë për interesa personale të Berishës.

“Fyerja e pashembullt nga Sali Berisha drejtuar 5004 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD, shumicës dërrmuese të këtij organi, duke i etiketuar si socialistë, ekstremistë të majtë, enveristë të thekur, është shprehja më e qartë që Sali Berisha ka zgjedhur të shkelë mbi çdo demokrat që i shërben interesit të demokratëve, interesit të PD dhe jo interesit personal të tij. Është fakt që shumica dërrmuese e Kryesisë së Partisë, e Këshillit Kombëtar dhe e Kuvendit Kombëtar, kanë zgjedhur të ardhmen dhe interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar bunkerizimin e PD për hallet personale të askujt”, shprehet PD.

You may also like