Patrick për Oversport: Tirana, një familje e madhe! Mbrojtja më e fortë? Ajo bardheblu

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Tirana e mbylli vitin kalendarik 2022 me një titull të fituar dhe Superkupën ndaj Vllaznisë. I gjithë rrugëtimi deri më tani për Patrick Robson ka qenë pozitiv. Pas kohës që ju desh të ambientohej, ai është bërë pjesë e rëndësishme e mekanizmit sulmues të Tiranës. Në një intervistë për Oversport, braziliani tregon edhe se si ka qenë ky vit në skuadrën bardheblu, ndjesinë në ekip, raportet me lojtarët e tjerë dhe ushqimit në Shqipëri.

“Jam ndjerë shumë mirë këtë vit te Tirana. Jam ndjerë komod dhe më kanë pritur të gjithë shumë mirë. E vetmja gjë që shpresoj është që të vijojmë edhe vitin tjetër të bëjmë sa më mirë për këtë skuadër për të fituar trofe të tjerë. Këtu jemi të gjithë miq,  kalojmë kohë të gjithë bashkë dhe ndihemi mirë me njëri-tjetrin. Nuk veçoj askënd si shokun më të mirë, pasi jemi të gjithë shumë miq. Sa i përket ushqimit, është ndryshe nga ai që jam mësuar në Brazil. Mund të veçoj vetëm pastat, që më pëlqejnë shumë”.

Shpesh në skuadrën kampione në fuqi, humbjet përjetohen shumë dhe fakti që është skuadra rekordmene, e bën presionin të jetë i madh për të fituar çdo ndeshje dhe çdo trofe. Por braziliani 24 vjeçar, tregon se si është përjetimi nga brenda ekipit.

“Te Tirana ndihemi si në një familje. Këtu nëse fitojmë, fitojmë të gjithë dhe nëse humbim, humbim të gjithë dhe jemi të gjithë fajtorë”.

Prej disa muajsh në Shqipëri dhe pas 15 ndeshjesh që ka zhvilluar mes kampionatit, kupës dhe finales së Superkupës, Patrick zgjedh edhe mbrojtjen më të fortë me të cilën është përballur.

“Mbrojtja e Tiranës është më e forta. Vuaj shumë gjatë gjithë javës në stërvitje. Ashtu siç edhe sulmi më i mirë, është sulmi që ka Tirana. Është e vështirë të them se kush është më i mirë mes Hasanit dhe Xhixhës. E them me bindje se me të dy ndihem shumë mirë. Xhixha ka shënuar shumë gola, por edhe Hasani është një sulmues shumë i mirë. E vështirë që t’i ndaj edhe për shkak se janë lojtarë me karakteristika të ndryshme”.

Në fund, një urim dhe një objektiv personal që Patrick ka për vitin 2023 dhe gjysmën e dytë të këtij sezoni

 

“Uroj të jetë një vit i shëndetshëm për të gjithë, me sa më shumë suksese. Uroj që Tirana të dalë sërish kampione. Personalisht shpresoj të shënoj sa më shumë gola. Nëse do të ishte e mundur, do kisha dëshirë të shënoja më shumë sesa dhjetë gola”.

Deri më tani, Patrick ka shënuar 3 gola në kampionat dhe një në finalen e Superkupës ndaj Vllaznisë. / Oversport.tv

You may also like