Pas 10 vitesh negociata, arrihet marrëveshja për mbrojtjen e oqeaneve

by admin
Spread the love

Tashmë shtetet kanë arritur marrëveshjen historike për të mbrojtur oqeanet e botës pas dhjetë vitesh negociata.

Traktati për detin e hapur vendos që deri në vitin 2030, 30 % e deteve të jenë në zona të mbrojtura. Synimi është mbrojtja dhe rikuperimi i natyrës detare.

Marrëveshja u arrit në mbrëmjen e së shtunës, pas 38 orësh bisedime në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Negociatat për këtë traktat janë bllokuar për vite të tëra për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me financimin dhe të drejtat e peshkimit.

Marrëveshja e fundit ndërkombëtare për mbrojtjen e oqeaneve ishte nënshkruar më 1982. Ajo marrëveshje krijoi zonat e quajtura dete të hapura, ujëra ndërkombëtare ku të gjitha shtetet kanë të drejtë të peshkojnë, të transportojnë dhe të bëjnë kërkime, por vetëm 1.2 për qind e këtyre ujërave janë të mbrojtura.

Jeta detare jashtë këtyre zonave të mbrojtura ka qenë në rrezik nga ndryshimet klimatike, peshkimi i pakontrolluar dhe trafiku i anijeve.

Sipas vlerësimeve të fundit lidhur me speciet detare është gjetur se 10 % e tyre janë në rrezik të zhduken.

Në zonat e reja të mbrojtura, sipas traktatit më të fundit, do të ketë kufizime sa i përket peshkimit, rrugëve të kalimit të anijeve dhe aktiviteteve eksploruese, sikurse nxjerrja e mineraleve nga shtrati i detit që gjendet 200 metra apo më poshtë sesa nga sipërfaqja e ujit.

Grupet mjedisore kanë shprehur shqetësim se nxjerrja e mineraleve mund të ndikojë në riprodhimin e gjitarëve detarë, të shkaktojë ndotje dhe të jetë e rrezikshme për jetën detare.


Top Channel

You may also like