Partia fituese e zgjedhjeve në Bullgari i qëndron vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, kandidati për ministër të jashtëm: Në dhjetor s’pritet të ketë heqje të vetos bullgare

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Daniel Lohrer nga partia Bullgare ka thënë se nuk është reale të pritet që deri më 14 dhjetor të ketë marrëveshje me Shkupin për çështjet kontestuese dhe heqje të vetos bullgare për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.

Po ashtu ai është shprehur se “nëse mbetet vetëm historia për të lëvizur negociatat mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, nuk mund të pritet rezultat mjaft i mirë për të dyja palët”.

Sipas tij do të hapen diskutime shtesë për ecurinë ekonomike mes dy vendeve.

Partia, “Ne vazhdojmë ndryshimin”, ka dalë e para në zgjedhjet e mbajtura më 14 nëntor dhe pritet të formojë qeverinë e re, në koalicion me tri parti tjera.

Dallimet për gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike, por edhe të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, janë çështjet për të cilat duhet gjetur zgjidhje, në mënyrë që Sofja të heqë veton për Shkupin, të cilën e ka vendosur në nëntor të vitit 2020.

Nga ana e tij Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka deklaruar të enjten se Shkupi ende beson se deri në dhjetor mes dy vendeve mund të ketë përparim dhe zhbllokim të procesit të integrimit evropian.

“Muajin dhjetor e shohim si një dritare të mirë, si mundësi dhe nevojë për të përqendruar të gjithë energjinë e brendshme, rajonale dhe evropiane për të shfrytëzuar këtë mundësi, e cila është shumë e rëndësishme, jo vetëm për historinë tonë, por për besueshmërinë e të ardhmes evropiane”, ka deklaruar Osmani pas takimit me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart.

You may also like