PARIS – Macron kandidon për një mandat të dytë

by admin
Spread the love

PARIS, 3 mars /ATSH-DPA/- Presidenti francez Emmanuel Macron shpalli kandidaturën e tij për një mandat të dytë në detyrë në një letër drejtuar popullit francez të enjten në mbrëmje.

“Gjatë pesë viteve të fundit, ne u kemi bërë balle së bashku një mori sprovash. Terrorizmi, pandemia, rikthimi i dhunës, lufta në Evropë: Franca rrallë është përballur me kaq shumë kriza”, tha Macron, i cili vendosi të mos shpallë kandidaturën e tij përmes një fjalimi për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë.

“Ne nuk kemi arritur gjithçka”, tha Macron, duke shtuar se ai do t’i bënte disa gjëra ndryshe, nëse do të kishte patur nivelin e tij aktual të përvojës në atë kohë.

Gjithashtu Macron tha se ndryshimet e paraqitura gjatë periudhës së tij në detyrë, i dhanë mundësinë francezëve të jetonin më mirë dhe Franca të bëhej më e pavarur.

“Ishte e nevojshme që vendi të vazhdonte në këtë rrugë”, tha ai, duke iu referuar krizave të dy viteve të fundit. “Unë jam kandidati për të gjetur, së bashku me ju, një përgjigje unike franceze dhe evropiane ndaj sfidave të shekullit”, shkroi ai.

Macron, i cili ka qenë në detyrë që nga viti 2017, erdhi në pushtet duke premtuar një fillim të ri dhe duke synuar ndryshime rrënjësore në tregun e punës.

Ai gjithashtu bëri thirrje për ta bërë Bashkimin Evropian më të fortë në aspektin e politikës së jashtme.

Megjithatë, planet e Macron për reformat hasën protesta masive që tronditën kombin, ndërsa kundërshtarët e konsideruan atë si mishërim i një elite politike të shkëputur nga shqetësimet dhe problemet e publikut të gjerë. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like