Parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Dhuna si fenomen, sidomos kur ajo ushtrohet brenda institucioneve arsimore, kërkon vëmendjen dhe kujdesin e të gjithëve, në mënyrë që të sigurojmë zhvillimin e fëmijëve tanë në shkollë e në shoqëri.

Kështu ka thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila theksoi se për të analizuar gjendjen, u mblodhën në tryezën me temën “Integrimi i politikave dhe shërbimeve për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve, me fokus në shkollë”, e cila u organizua nga Komisioni Parlamentar për Arsim dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve.

“Të dhënat për forma të ndryshme të dhunës në institucionet arsimore janë shqetësuese kudo në botë, e edhe te ne, me gjithë politikat arsimore dhe bazën ligjore që synon mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e dhunës në sistemin arsimor”

Duke qenë se dhuna vjen nga shkaktarë e faktorë të ndryshëm, Nagavci tha se MAShTI po bën përpjekje që komuniteti shkollor të ndërgjegjësohet për temën e dhunës, të ketë qëndrim proaktiv në trajtimin e saj dhe të ushtrojë rolin e duhur në parandalim nëpërmjet të arsimit cilësor.

“Edhe pse roli i psikologut dhe pedagogut është shumë i rëndësishëm, aktualisht në nivel vendi kemi 146 të tillë në shkolla dhe më vjen keq që në të kaluarën granti që është ndarë për punësimin e tyre është përdorur nga komunat për punësimin e kuadrove të tjera. Prandaj, do të rrisim shërbimet mbështetëse për shkolla dhe do të veprojmë me aktivitete sensibilizuese për rritjen e vëmendjes dhe përgjegjësisë institucionale karshi fenomenit të dhunës. Jemi të përkushtuar në vazhdim që të kemi grup ndërinstitucional aktiv, për të përcjellë dhe monitoruar veprimet brenda sistemit të mbrojtjes së fëmijës nga çdo formë e dhunës. Por, na duhet një bashkëpunim i ngushtë edhe mes mësimdhënësve, nxënësve, prindërve, familjes dhe gjithë komunitetit, për ta parandaluar këtë dukuri të dhimbshme që rëndon mbi shoqërinë tonë”, tha tutje ajo.

 

You may also like