Paqësori nuk e ndjellë luftën por as i ikë kur i troket te dera e shtëpisë

by admin
Spread the love

Gjatë historisë, në kohë si këto të sotmet që ndjellin konflikte të përmasave planetare, gjithmonë është përsëritur e njëjta: Serbia ka ndërtuar miqësi me shqiptarët duke u armatosur dhe duke i shndërruar në kazerma ushtarake edhe kishat ortodokse serbe.
Ndërkaq, në kohë të tilla, Greqia e ka mbështetur Shqipërinë, por duke i zaptuar tokat e saj edhe nëpërmjet varrezave me eshtra të shqiptarëve, por me emra të ushtarëve të vrarë grekë.
E ne shqiptarët jemi pyetur çka është duke ndodhur dhe kemi besuar se edhe në paqe edhe në luftë, ne s’kemi pse shqetësohemi, ngaqë do na mbajnë gjallë këngët kreshnike e do na mbrojë ‘perandoria’ të cilës verbërish i kemi besuar e shërbyer.
Duke harruar kështu se në kohë kur bota tregon eturi për gjak njeriu, askush nuk të pyet se nipi i kujt je, por vlen vetëm aq sa je i aftë të mbrosh vetveten dhe tokën tënde.
Edhe pas përfundimit të gjakderdhjeve me përmasa planetare është përsëritur e njëjta: serbët kanë qenë më të gjithë nga pak, por më së shumti me fituesit e luftës, ndërkaq grekët gjithmonë kanë mbajtur anën e më të fortëve të kësaj bote.
Edhe ne si gjithmonë, edhe pasi kanë përfunduar konfliktet, kemi vazhduar të pyesim vetveten se çka ndodhi dhe pse ndodhi, duke mos harruar të merremi me kompletimin e listës së përjetshme – atë të tradhtarëve dhe patriotëve si edhe të ‘perëndimorëve’ dhe ‘lindorëve’.
Të shpresojmë se sot, kur këtë planetë e ka marrë në duar djalli, nuk do veprojmë si në të shkuarën, por do ndërtojmë paqe duke u bërë gati që në çdo çast të mbrojmë popull e atdhe.
Pra të shpresojmë se sot, kur fqinjët tanë merren me mirëmbajtjen e kazermave të veta ushtarake, ne nuk do merremi me akordimin e çiftelive me dy tela dhe as me garën patriotike, por do rreshtohemi sa më ngjeshur rreth flamurit Kuq e Zi.
Edhe atë jo çdonjëri me revolen e vet në brez, por ashtu siç i takon një popullit paqësor e të organizuar, i cili kurrë nuk e ndjellë luftën, por as që i ikë asaj kur i troket te dera e shtëpisë.

Nga: Kim Mehmeti

You may also like