Pakistani nis deportimet masive të afganëve pa dokumente qëndrimi (fotot)

by admin
Spread the love

Autoritetet pakistaneze kanë nisur sot të shkojnë derë më derë për të kërkuar dhe kthyer prapa mijëra afganë që jetonin prej vitesh e dekadash në vend, të larguar dikur nga regjimi Taliban.

Një ministër i qeverisë tha sot se ashtu siç pritej ka nisur një fushatë e dhimbshme të mbledhjes me forcë të afganëve pas skadimit te afatit te fundit të kthimit të vullnetshëm të skaduar dje.

Tashmë 200,000 njerëz janë kthyer vullnetarisht në Afganistan, tha ministri i brendshëm në detyrë i Pakistanit, Sarfraz Bugti.

Fushata e dëbimit të të huajve të paregjistruar është pjesë e politikës së re anti-emigracion të qeverisë që pritet të prekë deri në 2 milionë afganë, që besohet se qëndrojnë të paregjistruar në Pakistan.

Ndërkohë në rrjetet shpërndahen pamje të veprimit të autoriteteve që po prishnin dje dhe sot kampet e refugjatëve, shumë prej të cilëve jetonin prej dekadash në Pakistan ose kishin lindur aty.

“Ne do të shkojmë derë më derë dhe do të bëjmë gjurmimin dixhital, duke i ndaluar dhe deportuar, kemi arrestuar me dhjetra deri tani në vend, përfshi dhe në kryeqytet”, tha ministri për zhvillimet e krizës.

Nuk dihet çfarë e ka shkaktuar ndryshimin e beftë të politikës së Pakistanit, por Bugti shtoi se afganët do të vendosen në autobusë, kamionë dhe mjete të tjera të gatshme për t’u vendosur drejt kufirit.

Ai gjithashtu dënoi vendet perëndimore se nuk po bënte sa duhet “për të ndihmuar në zhvendosjen e afganëve dhe mbrojtjen e tyre nga hakmarrje të mundshme nga talibanët”.

Grupet e të drejtave dhe OKB kanë kritikuar politikën e detyrueshme të Pakistanit duke kërkuar që atyre t’u jepej më shumë kohë.

Ndërkohë radhë të gjata janë krijuar pranë daljeve kufitare drejt Afganistanit ku qindra refugjatë po qëndrojnë në streha të përkohshme në pritje të daljes nga vendi.

50-vjeçari afgan Gul Mohammed, tha se nuk e ç’do të bëjë në vendin e tij pas shumë vitesh me familjen në Pakistan.

“Të shohim me çfarë mund të mbijetojmë në Afganistan kur të arrijmë atje. Jam përpjekur të kontaktoj me ata që janë kthyer por nuk kam arritur të komunikoj. Pasiguri e madhe pret shumë nga ne”, tha ai.

Policia e Pakistanit është akuzuar për ngacmime dhe presion ndaj afganëve në ditët para skadimit të afatit.

Në kampin Chaman, Saddam, i ardhur në Pakistan shtatë vjet më parë tha: “Ata na hynin në banesa, na ngacmonin dhe tani na detyrojnë të largohemi. Policia na ka fyer dinjitetin  me sjelljen e tyre mizore”.

Po në këtë kamp, 23 vjeçari Mir Agha, tha: “Unë kam lindur dhe jam rritur në Pakistan. Edhe vëllezërit e mi kanë lindur aty, ne kemi karta identiteti të UNHCR por policia na i prishi kur na arrestuan”.

 

“Pakistani është shtëpia jonë, tani do të jemi refugjatë në Afganistan, si do të mbijetojmë aty?”, shtoi ai, sipas The Guardian.