Pa Dushanin s’ka festë, Juvja e rigjen në Kupë. Serbi pritet titullar sot ndaj Lacios

by admin
Spread the love

Juventusi kërkoi që të dilte nga tuneli, por ndërkohë ka rënë në një pus shumë të thellë, nga i cili duket shumë e vështirë për të dalë.

Në kampionat numrat janë më shumë sesa të frikshëm, të shëmtuar, siç ishte edhe paraqitja e radhës kundër Lacios, një ndeshje që përfundoi në mënyrën më të dhimbshme të mundshme për “Zonjën e Vjetër”, e cila u godit me kokë në minutën e 93-të dhe tashmë sheh edhe vendin e tretë që t’i rrezikohet nga Bolonja, e cila pas fitores së djeshme me Salernitanën është afruar në 2 pikë. Por torinezët do të kenë një mundësi për të treguar se kanë endë forcë, ende shpresë dhe mbi të gjitha kanë ende në gjak ADN-në e skuadrës që përfaqësojnë, duke qenë se sot do të jenë të impenjuar në shtëpi, për gjysmëfinalen e vajtjes së Kupës së Italisë ndaj Lacios. Dhe nëse historia dhe statistikat kanë sado pak rëndësi në futboll, atëherë bardhezinjtë shpresohet që të transformohen në kupë, siç thonë numrat, duke qenë se ato nuk humbin prej 22 ndeshjesh radhazi në shtëpi, në Kupën e Italisë. Por ashtu siç tregoi në kampionat, Juventusi duhet të bëjë shumë kujdes ndaj Lacios, pasi ato janë transformuar tashmë në një “mace të zezë” për “Zonjën e Vjetër”, edhe në kompeticionin në fjalë. Ndaj të kaltërve të ish-it Igor Tudor, Juvja do të luan për herë të shtatë në gjysmëfinalet e turneut të dytë për nga rëndësia në Itali.

Dhe historia thotë se Juventusi është skualifikuar në 4 nga 6 rastet e mëparshme, duke llogaritur këtu edhe tri herët e fundit që janë ndeshur në këtë fazë (2012-2013, 2008- 2009 dhe 1997-1998). Me Dushanin ka shpresë Gjithsesi, nëse Lacio tremb për nga shifrat edhe në kupë, kjo sfidë pritet që të jetë ndryshe, të paktën nga ajo e kampionatit dhe arsyeja ka emër dhe mbiemër: Dushan Vlahoviç. Po, është e vërtetë që me 44 gola të shënuar në kampionat deri në këtë fazë të sezonit, Juventusi ka sulmin më të dobët të 25 viteve të fundit (ndonëse në sezonin 1998- 1999 kishin 6 pikë më shumë në renditje). Por DV9 është gjithashtu fakt se ka shënuar i vetëm 1/3-ën e golave të bardhezinjve (15 i vetëm), kështu që rrezikshmëria sot në Torino do të jetë shumë herë më e lartë për lacialët. Shpresa është që së bashku me Vlahoviçin të zgjohen edhe Federiko Kieza, i vetmi që nga pjesëtarët e tjerë të repartit sulmues bardhezi ka tundur rrjetën në vitin 2024 (2 herë), por edhe Jildiz (me 1 gol në kupë) ndoshta meriton që të ketë një shans dhe të tregojë se edhe për të, periudha e errët pas shkëlqimit të fundvitit 2023 nuk ka qenë një flakë kashte.

Kështu që sot në mbrëmje në “Allianz Stadium”, pritet që Juventusi të tregojë se nuk ka vdekur ende dhe se ka ende dëshirë për të dërguar një trofe në shtëpi sivjet, përveç se për të nisur vrullin e duhur në kampionat dhe të mos rrezikojë më zonën Champions. Pas për më shumë, Dushan Vlahoviç di sesi t’i shënojë Lacios, duke qenë se në 8 ndeshjet e fundit ka festuar 6 herë kundër tyre, në të gjitha kompeticionet, përfshirë edhe dopietën e fitores në fazën e parë, të Serisë A.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

You may also like