Osmani: Qetësimi i vazhdueshëm i Vuçiqit nga disa, mbetet kërcënim serioz

by admin
Spread the love

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për rrezikun që i kanoset Kosovës nga ndikimi rus në Ballkan.

Osmani në rubrikën e të ftuarve në “The Economist”, në një shkrim të gjatë ka thënë se lufta në Ukrainë është mënyra e Putinit për të testuar botën demokratike dhe është një përpjekje për të thyer frymën tonë demokratike, transmeton Reporteri.net.

“Kjo luftë është mënyra e zotit Putin për të testuar botën demokratike dhe është një përpjekje për të thyer frymën tonë demokratike. Në vend të kësaj, lufta e ka bashkuar botën demokratike në një mënyrë të padëshmuar për dekada. Mënyra se si ne të gjithë vazhdojmë të përgjigjemi , vendet e mëdha dhe të vogla nuk do të përcaktojë vetëm të ardhmen e Ukrainës, por të ardhmen e Evropës dhe botës. Çdo përgjigje nuk ka të bëjë vetëm me popullin e Ukrainës, por ka të bëjë edhe me llojin e botës në të cilën duam të jetojmë dhe mesazhin kolektiv që u dërgojmë autokratëve kudo”, është shprehur Osmani.

Presidentja Osmani ka theksuar ndërsa sytë e botës janë përqendruar tek Ukraina, në zemër të Evropës, ekziston një tjetër kërcënim i rëndësishëm që gjëmon nën sipërfaqe.

Osmani ka përmendur ndikimin që Rusia që ushtron mbi Serbinë, e cila siç ka thënë ka intensifikuar përpjekjet për të destabilizuar Kosovën, Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi.

“Kosova i di shumë mirë pasojat e lëshimeve të bëra në kurriz të një populli të pafajshëm. Zbutja e hershme e Sllobodan Millosheviçit rezultoi në luftëra të shumta të përgjakshme në ish-Jugosllavi të ndjekura nga një regjim gjenocidal, të gjitha në emër të dëshirave fashiste për të krijuar një “Serbi të Madhe”. Dhuna çoi në qindra mijëra vdekje, përdhunim të dhjetëra mijëra grave dhe shpërngulje të miliona.

E gjithë kjo ndodhi para syve të botës. Fatmirësisht, NATO dhe bota na dolën në ndihmë në vitin 1999 duke i dhënë fund gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kryera kundër popullit të Kosovës. Por sot ne jemi dëshmitarë, edhe një herë, një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, agresion barbar dhe brutal kundër Ukrainës dhe popullit të saj të pafajshëm, dhe potencialit për një luftë shumë më të madhe në Evropë dhe më gjerë.

Ndërsa sytë e botës janë përqendruar me të drejtë tek Ukraina, këtu në zemër të Evropës, ne kemi një tjetër kërcënim të rëndësishëm që gjëmon nën sipërfaqe. Zoti Putin i ka kthetrat e tij të ngulitura thellë dhe fort në rajonin tonë përmes ndikimit që ushtron mbi përfaqësuesin e tij, Serbinë, e cila ka intensifikuar përpjekjet për të destabilizuar Kosovën, Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi”, ka thënë Osmani ndër të tjera.

Osmani tutje ka thënë se “butësia” me të cilën po trajtohet Vuçiqi nga disa mbetet mbetet një shqetësim serioz dhe një rrezik për paqen.

“Përballë këtyre zhvillimeve, qetësimi i vazhdueshëm i zotit Vuçiq nga disa mbetet një shqetësim serioz dhe një rrezik për paqen”.

“Zhvillimet në Ukrainë janë një kujtesë se ne kurrë nuk duhet të jemi indiferentë përballë autokracisë ose kur kërcënohen vlerat dhe aleatët tanë. Kjo nuk ka të bëjë me “ne” dhe “ata”, kjo është një kujtesë për të gjithë ne përsëri se një kërcënim ndaj demokracisë në një territor është një kërcënim për të gjithë ne.

Në pjesën tonë të botës, paqja dhe stabiliteti janë arritur me sakrifica të mëdha, duke përfshirë humbjen e shumë jetëve të pafajshme. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta ruajtur atë, dhe kjo do të thotë të themi të vërtetën kur përballemi me agresionin e përditshëm nga fqinji ynë Serbia”, është shprehur Osmani.

You may also like