Osmani për Ballkanin e Hapur: Hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe

by admin
Spread the love

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në konferencë për media ka folur për Ballkanin e Hapur, e po ashtu edhe për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Mendoj se është koha të flasim për palën që nuk implementon marrëveshjet, e ajo është Serbia. Nuk ka implementuar 2/3 e marrëveshjeve të arritura”, ka thënë Osmani në konferencë për media, ndërsa ka shtuar se Serbia vazhdon të financojë strukturat ilegale në Kosovë. “Kosova ka implementuar 90 për qind të marrëveshjeve. Një që nuk e ka implementuar është Asociacioni. Kushtetuesja e ka thënë të qartë se nuk është në përputhje me Kushtetutën. Është shkelje e Kushtetutës që Asociacioni të ketë të drejta ekzekutive”.

E për Ballkanin e Hapur, Osmani ka thënë se është hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe, ndërsa ka thënë se në këtë aspekt ka mendim ndryshe nga Pahori.

“Ne natyrisht se kemi mendim ndryshe për këtë çështje. Kemi pasur rastin të diskutojmë për këtë sot me respekt të ndërsjellë. Për ne Ballkani i Hapur është hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe. Në këtë moment që Serbia po tenton të luaj rolin kryesor në këtë iniciativë, nuk ka qëllime të mira në raport me rajonin tonë. Do të ishte ndryshe sikur Serbia të ishte shtet që ka synim paqen e stabilitetin dhe po ta kishte njohur Kosovën. Përderisa synon që Kosova të hyjë në iniciativa të tilla si provincë e saj, e që realiteti është krejt ndryshe, pasi Kosova është shtet i pavarur e sovran, natyrisht se iniciativa të tilla nuk i shërben interesave të vendit tonë, por as të rajonit. Ka disa shqetësime tjera. Kjo iniciativë ka shkelur parimin themelore të iniciativave rajonale që është ai i gjithëpërfshirëjes. Kur është iniciuar fillimisht ishin vetëm tri apo dy shtete. E dyta ka shkelur parimin e trajtimit të barabartë të gjitha shteteve. E treta kemi shqetësime sa i përket faktit se do të shndërrohhej si paradhomë pritjeje e do t’i jepte arsyetim skeptikëve brenda BE-së që të na lënë ne të merremi me njëri-tjetrin për kohë të gjatë, në vend se të qartësohet perspektiva jonë evropiane”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se shqetësimet tjera kanë të bëjnë me ekonominë, sigurinë e politikën.

Osmani ka shtuar se Serbia është pjesë e shumë iniciativave tjera rajonale, ku Kosova është pjesë e barabartë. Porse edhe aty Serbia nuk respekton marrëveshjet.

“Ta zënë në Procesin e Berlinit, ku Kosova është e barabartë, e mbështesim këtë proces. Udhëhiqet nga kancelarja gjermane dhe presidenti francez, ka mbështetje të plotë të BE-së, përkundër këtij niveli kaq të lartë të udhëheqjes, Serbia vazhdon të mos implementojë marrëveshjet e nënshkruara aty. Sidomos atë të nënshkruar në Londër për personat e zhdukur me dhunë. Nëse nuk implementon marrëveshjet e një procesi kredibil siç është ai i Berlinit, paramendoni sa implementon marrëveshjet në një proces ku vet ka rol udhëheqës”, ka thënë Osmani.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahour, ka thënë se Ballkani i Hapur nuk është alternativë e përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Ai tha se në fillim e ka mirëpritur këtë iniciativë edhe si mënyrë për rregullimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por tash, sipas tij, ka shumë kundërshtim.

“Kam parë se ka shumë kundërshtime, kur ka ardhur te kjo iniciativë më është dukur shumë me elegante për rregullimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha ai në konferencën e përbashkët për medie me presidenten Osmani.

E Osmani po ashtu ka shtuar se Kosova asnjëherë nuk ka qenë pala destruktive në dialog dhe se angazhohet maksimalisht.

“Kosova angazhohet maksimalisht që ky proces të përfundojë me sukses. Besojmë fuqishëm dhe si shtet jemi ndërtuar mbi parimin se gjithçka duhet zgjidhur me dialog. Kosova si shtet dhe populli i saj kurrë nuk kanë nxitur lufta e sulmuar të tjerët”, ka thënë Osmani.

Pas takimit me Osmanin, presidenti Pahor është takuar me kryeministrin Albin Kurti.

You may also like