Osmani: Maqedonia e Veriut nuk duhet të humbasë trenin për në BE

by admin
Spread the love

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, mori pjesë në debatin e organizuar nga Instituti BIRC, me studentët e Universitetit Shtetëror të Tetovës me temën “A po na ik treni për në BE?”.

Osmani tha se është optimist që ndryshimet kushtetuese do të kalojnë deri në fund të vitit dhe se vendi do të mbetet në rrugën e integrimit të përshpejtuar në Bashkimin Evropian, duke shprehur besimin se procesi duhet të bazohet në meritokraci, por edhe duke e kuptuar momentin aktual gjeopolitik.

“Anëtar i BE-së bëhesh kur i plotëson kushtet, por në momente të caktuara gjeopolitike. Mirëpo, nëse i keni plotësuar kushtet dhe nuk është momenti i duhur gjeopolitik, atëherë dera është e mbyllur. Dera e hekurt e BE-së tani po hapet për shkak të agresionit rus në Ukrainë. Vendet që janë të gatshme do të hyjnë”, theksoi Osmani në fjalimin e tij para studentëve.

Ministri Osmani theksoi se çdo vend i rajonit ka pasur sfidat e veta në rrugën e anëtarësimit në BE, dhe amendamentet kushtetuese janë detyra jonë e shtëpisë që i kemi ndërmarrë me Kornizën Negociative ndërmjet vendit tonë dhe BE-së.

Osmani pohoi se ndryshimet kushtetuese janë thelbësore për vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE, por edhe shmangien e përfshirjes së çështjeve identitare dhe historike gjatë këtij procesi, duke konstatuar se ndërprerja e integrimeve tona evropiane është një gabim historik që nuk duhet t’ia lejojmë vetes në këto momente.

MARKETING



You may also like