OSLO – Stoltenberg: Edhe siguria e Arktikut është ndryshuar nga ofensiva ruse

by admin
Spread the love

OSLO, 25 mars /ATSH-DPA/ – Sjellja ushtarake e Rusisë po ndryshon sistemin e veprimeve të sigurisë për rajonin e Arktikut, deklaroi sot shefi i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë një vizite në Norvegji ku do të shoh nga afër manovrat ushtarake të quajtura “Reagimi i ftohtë”.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një moment vendimtar. Është një normalitet i ri për sigurinë evropiane dhe gjithashtu për sigurinë e Arktikut”, tha Stoltenberg.

“Shumë shtete të Arktikut janë në NATO”, theksoi ai.

“Edhe nëse lufta në Ukrainë do të përfundonte nesër, ngjarjet e javëve të fundit do të kishin implikime të qëndrueshme”, tha Stoltenberg.

“Rusia ka treguar se është e përgatitur për të sfiduar parimet themelore të sigurisë duke përdorur mjete ushtarake”, shtoi ai.

Moska pushtoi fqinjin e saj perëndimor muajin e kaluar si pjesë e asaj që ajo e quan një “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Kievin dhe për të mbrojtur rusët etnikë. Aleatët perëndimorë të Kievit, shumë prej të cilëve janë në NATO, janë përgjigjur me sanksione masive ndaj Moskës dhe dërgesa armatimesh.

Ish-kryeministri norvegjez, Stoltenberg theksoi rëndësinë strategjike të rajonit rreth Polit të Veriut për sigurinë dhe gjithashtu për komunikimin midis Amerikës së Veriut dhe Evropës.

“Ka pasur një rritje të konsiderueshme të aktivitetit ushtarak rus atje vitet e fundit”, tha ai.

“Rusia po teston sistemet e armëve detare në rajon, i cili është gjithashtu shtëpia e flotës strategjike të nëndetëseve të vendit. Përveç kësaj, interesat kineze në Arktik po rriten”, shtoi Stoltenberg. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like