OSBE-ODIHR: Në zgjedhje kishte frymë garuese

by admin
Spread the love

Zgjedhjet lokale që u mbajtën dje në Maqedoni të Veriut ishin me frymë garuese, me respektim të lirive themelore, por shihet se ka nevojë për reforma thelbësore lidhur me legjislaturën zgjedhore. Siç informoi në konferencën e sotme për shtyp shefja e misionit vëzhgues të ODIHR-së, Tana de Zulueta, mangësitë e shumta në Ligj dhe ndryshimet ligjore të bëra afër ditës së zgjedhjeve e minuan stabilitetin juridik dhe partitë më të mëdha parlamentare gëzojnë përparësi të sistemit në shpërndarjen e resurseve publike për fushatën. “Ishte mirë të shihen numër i madh i kandidatëve lirshëm të zhvillojnë fushatë në mbarë vendin, por ishte e dukshme nga vëzhgimi ynë se partitë më të mëdha e shfrytëzuan Ligjin për të realizuar dominim në fushën politike. Kjo qartësisht e shtrembëron sistemin në dobi të tyre”, deklaroi De Zulueta duke e prezantuar vlerësimin preliminar nga vëzhgimi në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale në vend që u mbajt dje.

Ajo theksoi se në vend për herë të parë ishte vendosur identifikimi biometrik i votuesve për këto zgjedhje, dhe edhe pse hapi ishte në përgjithësi u përshëndet nga shumica e partive politike si masë për parandalim të mashtrimit në kornizë kohore për implementimin e saj në nivel nacional mungoi pilot projekti apo testimi gjithpërfshirës. Mu në ditën e zgjedhjeve, tha Zulueta, ishin vërejtur probleme të shpeshta me pajisjet për identifikim. Procesi i hapjes dhe votimit, siç theksoi ajo, ishte vlerësuar pozitivisht në mbarë vendin, por janë vërejtur probleme siç janë votimi grupor, si dhe gabime procedurale gjatë numërimit dhe grumbullimit të rezultateve. Lidhur me ndryshimet e legjislaturës zgjedhore, De Zulueta tha se ato gëzonin mbështetje të gjerë politike, por u miratuan vetëm një muaj para zgjedhjeve, pa debat të qartë dhe konsultim që nuk është në pajtim me praktikën e mirë ndërkombëtare. Në të njejtën kohë, duke folur për kapacitetet e KSHZ-së, De Zulueta tha se administrata zgjedhore, tha, i ka respektuar shumicën e afateve ligjore dhe ka bërë përpjekje që t’u adaptohet ndryshimeve të këtilla të vonuara, por kapaciteti i saj dhe aftësia që në mënyrë të pavarur ta kryejë punën e vet, ishin rrezikuar për shkak të mungesës së personelit të përhershëm dhe vendeve të zbrazura të punës në pozicione kyçe. Lidhur me retorikën në fushatë, u vërejt se edhe krahas fushatës aktive dhe në përgjithësi të qetë zgjedhore, debatet e bazuara në pyetje ishin përplot me retorikë negative e cila posaçërisht ishte e kahëzuar drejt kandidateve. Barazia gjinore dhe të drejtat e grave në masë të madhe  mungonin nga fushatat partiake në të cilat gratë gjithashtu  mbetën jo mjaft të përfaqësuara.  Edhe pse rreth 45 për qind e listave për këshilltarë ishin gra, vetëm tetë për qind e kandidatëve për kryetarë të komunave ishin gra kandidate. Vëzhguesit gjithashtu vërejtën edhe raste  të izoluara të frikës së kandidatëve, si dhe  raste për presion të kandidatëve të tërhiqen dhe  raste të blerjes së votave.

Lëndë e monitorimit të misionit ishin edhe mediat. Siç theksoi De Zulueta legjislatura zgjedhore parashikon  të gjitha mediumet duke i përfshirë edhe ato onlajn t’i mbulojnë zgjedhjet  në mënyrë korrekte, të balancuar dhe të paanshme, megjithatë, tha shefja e misionit të ODIHR, rregullimi i rreptë  i programeve për lajme te radiodifuzeri publik gjatë fushatës e minoi pavarësinë e saj editoriale. Në lidhje me reklamimin e paguar politik gjatë fushatës ajo potencoi se  kjo financohet direkt dhe vetëm nga buxheti shtetëror, ndërsa shpërndarja e tij ka siguruar  përparësi të madhe  për disa parti politike parlamentare që nuk është në pajtim me  praktikën e mirë ndërkombëtare. “ODIHR gjatë gjithë kohës e thekson nevojën Parlamenti të ndërmarrë reformë gjithëpërfshirëse në legjislaturën  zgjedhore në Maqedoninë e Veriut të shoqëruar me konsultime të gjëra publike. Kjo do të mundësojë të sillet legjislaturë  e fuqishme që do t’u shërbejë  njerëzve nga vendi”, theksoi De Zulueta. De Zulueta paralajmëroi se misioni i vëzhgimit do të qëndrojë edhe për rrethin e dytë të zgjedhjeve duke vlerësuar  deri në cilën shkallë zgjedhjet mbahen në pajtim me përpjekjet e OSBE-së dhe standardet tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe legjislatura  nacionale. Misioni vëzhgues i ODIHR në vend  punën e saj e filloi më 7 shtator me ekip prej 16 ekspertëve dhe gjithsej 165 vëzhgues nga 29 vende.

You may also like