Opozita nuk ndërron qëndrim për Kodin Civil, kërkon ndryshimin e neneve diksutabile nga Qeveria

by admin
Spread the love

Deputetët e partive opozitare ende nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket votimit
të Kodit Civil. Projekt Kodin Civil, i cili parasheh mundësinë e bashkëjetesës
së partnerëve të së njëjtës gjini, po kundërshtohet edhe nga disa deputetë të
Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.

Përderisa opozita po kërkon që në këmbim të votës për, po kërkon ndryshime
të neneve nga Qeveria.

Ndonëse deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku në
një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se votimi i Kodit Civil
është mëse i nevojshëm.

Ai tha se do t’i kërkojnë Qeverisë që të vijë me ndryshimet e kërkuara në
mënyrë që të mos mbetet peng i disa neneve Kodi.

“Unë besoj që kodi civil është shumë i rëndësishëm dhe besoj që duhet
të votohet një Kod Civil. Sigurisht që ne i dimë qëndrimet e secilit dhe janë
publike derisa nuk ka një ndryshim në atë aspekt unë e kam dhënë qëndrimin”.

“Ne kemi mundësinë t’i kërkojmë Qeverisë që të vijë me ndryshimin e kërkuar
nga deputet te cilët nuk e kanë votuar dhe për neve duhet të kalojë ai Kod Civil
sepse është i nevojshëm dhe të mos mbetet peng për disa nene të caktuara të
cilën fatkeqësisht e kanë sjellë të mos votohet një Kod Civil i tillë”, tha
Lushtaku.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj tha se kjo parti ka qenë mjaft  e qartë dhe nuk do ta votojë Kodin Civil.

Sipas tij, për këtë cështje ata kanë marrë edhe opinionet e elektoratit,
raporton EO.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë mjaft i qartë. Nuk do ta
votojmë Kodin Civil. I kemi arsyet dhe kemi konsultuar elektoratin dhe kemi
marrë përgjigje që ne nuk duhet ta votojmë Kodin Civil”.

“Ashtu siç e kanë sjellë në Kuvend nëse ndryshohet atëherë ne mund të
bisedojmë, por me këtë ofertë që e kanë bërë Qeveria ne nuk do ta votojmë Kodin
Civil”, tha Lekaj.

Në sesionin pranveror deputetët nuk e votuan Kodin, nga gjithsej 120
deputetë, vetëm 77 deputetë ishin të pranishëm në sallë.

Prej tyre, në votim morën pjesë 61 deputetë, nga të cilët 28 votuan “Për”, 29 ishin “Kundër” dhe 4 abstenuan.

You may also like