OKB – Vuçiç: Bojkoti i Listës Serbe i arsyeshëm

by admin
Spread the love

NJU JORK, 22 prill /ATSH/ – Pa ofruar asnjë dëshmi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi sot në seancën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën se serbët në Kosovë po vazhdojnë të përballen me ngacmime dhe forma të ndryshme të dhunës nga autoritetet.

Vuçiç i ka quajtur farsë deklaratat e Kosovës si lidere në fushën e demokracisë në Ballkanin Perëndimor dhe ka shprehur keqardhje që raporti i OKB-së nuk ka ofruar të dhëna të mjaftueshme për të kundërtën.

Përgjatë fjalimit të tij, presidenti serb e ka përmendur nënshkrimin e marrëveshjeje me Kosovën, me ndërmjetësim të BE-së, më 2013, dhe sipas tij, janë bërë ”11 vjet të premtimeve të pambajtura dhe arsyetimeve, dhe paaftësisë së BE-së për t’i lëvizur gjërat”.

Kur ka folur për çështjen e dinarit, presidenti serb ka thënë se vendimi i Prishtinës zyrtare ua ka vështirësuar përditshmërinë serbëve dhe minoriteteve tjera në Kosovë.

Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur së zbatuar një rregullore të re e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kështu, komunitetit serb në Kosovë i është pamundësuar përdorimi i dinarit, valutës serbe.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, dhe ua paguan atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Sa u përket votimeve për largim ose jo të kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, ai ka thënë se rritja e numrit të votuesve shqiptarë është rritur artificialisht në muajt e fundit në komunat veriore, prandaj, sipas tij, është i kuptueshmëm bojkotimi i votimit të 21 prillit nga ana e serbëve lokalë.

Asnjë anëtar i misioneve diplomatike në Kosovë, dhe as monitorues ndërkombëtarë të zgjedhjeve në Kosovë, nuk i kanë konfirmuar supozimet e Vuçiçit për rritje artificiale të numrit të votuesve.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, e ka bojkotuar procesin e votimit më 21 prill, dhe ua ka kërkuar të njëjtën edhe banorëve serbë.

Kjo parti ka pretenduar se procedurat e planifikuara janë ”të pamundura” dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ”ka bërë gjithçka që votimet të dështojnë”.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka thënë se iniciativa për largim ose jo të kryetarëve ka dështuar, pasi në këtë proces kanë votuar 253 prej 46 556 qytetarëve që kanë pasur të drejtë vote.

Për të qenë i suksesshëm procesi, do të duhej të votonin 50 për qind plus një votues.

Kjo nënkupton se kryetarët aktualë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, do t’i vazhdojnë mandatet e tyre./ (REL) a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like